Nga 71 kryetarë të degëve të Partisë Demokratike pas takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura me Lulzim Bashën për gati 5 orë në selinë blu, vetëm 5 prej tyre janë shprehur kundër mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të PD-së më 18 dhjetor. Kjo është fitorja e dytë e Lulzim Bashës, pas fitores në kryesinë e Partisë Demokratike, të cilët e mbështetën për mbledhjen e Kuvendit me 18 dhjetor dhe jo më datë 11 siç kërkonte grupi i Sali Berishës. Kundër mbledhjes së Kuvendit Kombëtar më datë 18 kanë dalë hapur krerët e degëve të Fushë-Krujës, Agron Loka, Paskuqanit, Antin Pjetërnikaj, Devollit, degës nr.1 në Tiranë si dhe kreu i degës së Vlorës. Genc Deromemaj i degës së Vlorës është shprehur se Kuvendi do të mbahet më 11 dhjetor, siç e ka përcaktuar anëtarësia.
Jo vetëm përjashtim nga grupi parlamentar, por ish-themeluesi i PD, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA, Sali Berisha mund të përjashtohet edhe nga partia. Kryedemokrati Lulzim Basha tha në mbledhje se për cilido që nuk respekton vendimin e kryesisë për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 18 dhjetor, do zbatojë statutin e partisë. ‘Boll është boll, asnjë anëtar nuk është mbi statutin dhe as mbi ne’, është shprehur Basha gjatë takimit me krerët e degëve, pasi Berisha ka thirrur një Kuvend paralel, duke shkelur kështu vendimin e kryesisë. Lulzim Basha tha se veprimet ilegjitime të Sali Berishës, tentativa për bunkerizim, dëmtimi i interesave elektorale dhe politike të PD, e kanë përgjigjën në Statut. Ai është shprehur para drejtuesve të degëve se do të zbatojë statutin ndaj kujtdo që shkel vendimin e kryesisë së partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën. Në nenin 27 pika 2 e statutit të PD parashikohet që anëtarët që thyejnë disiplinën e partisë ndeshkohen me paralajmërim, pezullim dhe përjashtim. Basha është treguar i vendosur në qëndrimin e tij për të mos njohur ato qe i quajti “struktura paralele” që tenton të krijojë Sali Berisha në PD, për interesat e tij personal.
Më tej në takim, Basha ka theksuar se detyra kryesore e PD është që të dalë më e bashkuar nga kuvendi i 18 dhjetorit dhe se beteja mes demokratëve i shërben vetëm Ramës. Basha edhe njëherë ka theksuar se i vetmi qëllim i Berishës është që ta kthejë PD në mburojë përballë SHBA. Sipas kreut të PD-së, kjo parti ka vetëm dy zgjidhje, ‘ose të jemi parti e pranueshme për Perëndimin ose do të shpallemi parti non grata’.
Në qendër të diskutimeve të Kolegjit të kryetarëve janë edhe çështjet që lidhen me organizmin e Kuvendit, i cili ka moton “1 parti, 1 Kuvend”. Thirrja e Kuvendit Kombëtar u propozua nga kryetari Basha, pas refuzimit të mbështetësve të Sali Berisha për të verifikuar sipas statutit 4200 firmat e mbledhura prej tyre për thirrjen e Kuvendit.