Opozita jonë rrugore e vetëdjegur legjislativisht, kërkon QEVERI TRANZITORE dhe vazhdon të deklarojë, se nuk ka Kuvend legjitim sot Shqipëria, por ka vetëm një bandë kriminale.
Po Opozita jonë rrugore, ende nuk tregon rrugën kushtetuese se si Kuvendi si “bandë kriminale” do ta miratojë përbërjen, programin dhe afatin e Qeverisë Tranzitore.
Po ti thërrasësh pak mendjes dhe të shënosh me kalem në dorë, kupton se me miratimin e Kushtetutës së Shqipërisë më 12 shtator të 1998-tës përmes referendumit mbarëpopullor, iu dha fund të “drejtës politike zakonore” shqiptare (deri në ’97), mbi marrjen dhe mbajtjen e pushtetit me dhunë dhe jo me votë.
Kjo Kushtetutë thotë se Shqipëria është Republikë parlamentare dhe sipas saj, organi ligjvënës Kuvendi përbëhet, nga një dhomë, me 140 anëtarë, të cilët zgjedhin kreun e shtetit, Presidentin e Republikës, si dhe Këshillin e Ministrave të ngarkuar me pushtetin ekzekutiv.
Pra, me pak mend e kalem në dorë, mjafton ndër të tjera, të lexosh e nënvizosh edhe nenet 65, 71, 95, 96, 97, 98, 104, 105, 106 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku do kuptosh, se në Republikën tonë parlamentare sipas Kushtetutës dhe jo Opozitës Rrugore,
PA KUVEND NUK KA AS QEVERI DHE AS QEVERISJE.
S’do as mend as kalem se Qeveritë, edhe teknike apo tranzitore qofshin ato, e miratojnë përbërjen dhe programin e tyre në Kuvend dhe jo në Rrugë.
Nëse deputetët heqin dorë nga mandati apo Kuvendi është i ilegjitim *, sipas Kushtetutës Kuvendi shpërndahet para përfundimit të mandatit të plotë, dhe zgjedhjet e përgjithshme thirren jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij.
Dhe në këto raste, Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës, nga Kuvendi pasardhës.
S’do as mend as kalem, se rruga kushtetuese ligjore po tregon se nuk jemi përpara QEVERISË TRANZITORE por përpara OPOZITËS TRANZITORE.
*Ilegjitimitetin e një organi a institucioni e vendos DREJTËSIA dhe jo RRUGA