Rrjeti i trafikut të drogës Francë-Spanjë-Itali është goditur në kuadër të një operacioni të gjerë kundër një grupi kriminal realizuar nga 200 karabinierë në Itali, të cilët përdorën qentë antidrogë.
Operacioni i policisë është shtrirë në Bolonjë, Rimini, Ferrara, Barcelonë, Spanjë dhe në Vlorë të Shqipërisë.
Mediat italiane shkruajnë se ishin hetimet e zhvilluara nga hetuesit e Bolonjës, ato që nxorën në dritë të dhëna për grupin kriminal. Ky grup sipas mediave kishte rrënjë të thella. Ai ishte i përbërë nga italianë, shqiptarë dhe anëtarë nga Afrika e Jugut. Ndër ta, 3 italianë dhe 2 shqiptarë konsideroheshin liderët e grupit.
Prokurori Giuseppe Amato, në një deklaratë për mediat tha se mënyra e organizimit të grupit është zbuluar plotësisht. “Një hetim i kushtueshëm dhe i shtrenjtë, ne nuk deshëm të ndalemi në episodet individuale të konfiskimeve të drogës.
Pra, nuk është një organizatë ‘rudimentare’, por njerëzit ishin në gjendje të blejnë ose të marrin me qira makina dhe telefona, duke përdorur identitete të rreme si dhe për të marrë dokumente false”, tha ai.
Anëtarët e grupit kriminal kanë operuar në territorin e Bolonjës. Blerjet janë kryer në Francë dhe Spanjë, të cilësuar si dy bazat e furnizimit të drogës.
Pas blerjes së drogës, bashkëpunëtorët e tjerë kryen transportin që ndahej në të paktën tre vëzhgime automobilistike, të cilat ndaheshin rreth 5 minuta nga njëra-tjetra.
