Këtë të premte janë miratuar një sërë vendimesh dhe projektligjesh gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave.
Një prej tyre është projektligji “Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë”, i cili parashikon krijimin dhe funksionimin e Këshillit Fiskal si një person juridik publik i pavarur.
Sipas qeverisë, synimi është forcimi i disiplinës fiskale, transparencës dhe qëndrueshmërisë së financave publike, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe praktikat ndërkombëtare.
Një tjetër vendim lidhet me mbikëqyrjen e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara që kanë të bëjnë me bimën e kanabisit dhe prodhimin e nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
Gjithashtu, u miratua projektligji për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere që janë pjesë e konglomerateve financiare.
Në fokus ishte edhe tregu i kriptoaseteve. Projektligji përkatës përcakton rregulla dhe kërkesa për ofertën publike dhe pranimin për tregtim të kriptoaseteve në platformat e tregtimit, si dhe përcakton kërkesat që duhet të përmbushin ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve.
Këshilli i Ministrave miratoi vendimet:
-Për përmbajtjen dhe rregullat e plotësimit të Regjistrit të Vullnetarizmit, si dhe rregullat, afatet e procedurat e raportimit në bazën e të dhënave të shërbimeve të punësimit nga ofruesit e vullnetarizmit.
-Për përcaktimin e rregullave për organizimin, funksionimin dhe aksesin në regjistrin elektronik për kujdesin alternativ në familje.
-Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave të monitorimit të situatës së fëmijës së vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe për organizimin dhe zbatimin e monitorimit e të inspektimit të shërbimit.
-Për përcaktimin e rregullave të hollësishme për mbikëqyrjen e veprimtarive të licencuara dhe të lejuara me bimën e cannabis-it dhe prodhimit të nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore dhe industriale.
Njëherësh janë miratuar dhe projektligjet si më poshtë:
-Për Këshillin Fiskal të Republikës së Shqipërisë.
Ky ligj përcakton kuadrin ligjor për krijimin, organizimin, funksionimin dhe përgjegjësitë e Këshillit Fiskal të Republikës së Shqipërisë (në vijim Këshilli Fiskal), si person juridik publik i pavarur, me qëllim kontributin në disiplinën fiskale, transparencën dhe qëndrueshmërinë e financave publike, në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
-Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare.
-Për tregjet e kriptoaseteve
Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave dhe kërkesave për ofertën ndaj publikut dhe pranimin për tregtim në një platformë tregtimi të kriptoaseteve, si dhe përcaktimi i kërkesave për ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve.
