Dita e dytë e Samitit të NATO-s në Ankara ka nisur me ceremoninë zyrtare të pritjes së liderëve të vendeve anëtare të Aleancës. Krerët e shteteve dhe qeverive u pritën nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe Presidenti i Turqisë, përpara se të realizonin fotot zyrtare të samitit.
Mes momenteve të ceremonisë, gazeta britanike The Guardian ka veçuar disa detaje që tërhoqën vëmendjen, duke i kushtuar një hapësirë të veçantë edhe stilit të veshjes së kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Media britanike ndalet te zgjedhja e Ramës për të veshur edhe këtë herë atletet e bardha, në vend të këpucëve klasike që zakonisht shoqërojnë evente të këtij niveli.
“Në lajmet e modës së samitit të NATO-s, kryeministri shqiptar Edi Rama është shfaqur me atletet e tij karakteristike ngjyrë të bardhë borë”, shkruan The Guardian.

Po ashtu, vëmendje ka marrë edhe paraqitja e presidentit francez Emmanuel Macron, veçanërisht syzet e tij karakteristike.
“Nuk pati ndonjë zhvillim të rëndësishëm gjatë mbërritjeve, por vlen të përmendet se presidenti francez, Emmanuel Macron, është rikthyer të mbajë syzet e tij karakteristike aviator, madje edhe në ambiente të mbyllura. Kur u shfaq për herë të parë me to në World Economic Forum Annual Meeting në fillim të këtij viti, u tha se arsyeja ishte një enë gjaku e çarë në sy. Pamja e tij tërhoqi shumë vëmendje dhe solli një valë porosish të reja për prodhuesit e syzeve që ai mban. Ai ka rreth një javë që i mban sërish. A mund të jetë rikthyer problemi me syrin?”, pyet The Guardian.

Artikulli i medias britanike i kushton vëmendje detajeve joformale të samitit, duke nxjerrë në pah stilin personal të disa prej liderëve botërorë, krahas zhvillimeve politike që dominojnë takimin e Aleancës në Ankara.
