Rregullorja e re e GJKKO-së, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori mes kundërshtimeve të forta të komunitetit të medias, shoqërohet edhe me një formular akreditimi që ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si Gjykata e Posaçme po e trajton aksesin e gazetarëve.
Për t’u akredituar, gazetarëve, kameramanëve, fotografëve dhe punonjësve të tjerë të medias u kërkohet të dorëzojnë një sërë të dhënash personale, ku veç emrit e datëlindjes, iu kërkohet të dhëna si adresa e banimit dhe vërtetime nga puna
Por kërkesat nuk mbarojnë këtu.
Formularit duhet t’i bashkëngjitet kopje e dokumentit të identifikimit, fotografi për kartën e akreditimit dhe vërtetim nga media që konfirmon marrëdhënien profesionale të gazetarit me redaksinë. Për gazetarët freelance kërkohen prova të aktivitetit profesional gjatë 12 muajve të fundit.
Pra, për të raportuar nga një institucion publik, gazetari duhet t’i dorëzojë GJKKO-së jo vetëm identitetin, por edhe adresën ku banon dhe dokumente që provojnë se ku punon.
Ironia është se edhe pasi kalon gjithë këtë procedurë, akreditimi nuk i jep gazetarit automatikisht të drejtën për të filmuar, fotografuar apo transmetuar seancat gjyqësore. Për këto duhet një autorizim tjetër nga organi kompetent i Gjykatës.
Ky formular vjen si pjesë e një rregulloreje që është kundërshtuar fort nga organizatat e gazetarëve, të cilat e kanë cilësuar censuruese dhe kufizuese për të drejtën e informimit.
Kundërshtimet lidhen me ndalimin e telefonave dhe regjistruesve në sallë, kufizimin e filmimeve, rotacionin e gazetarëve kur nuk ka vende të mjaftueshme dhe procedurat paraprake për aksesin në seanca.
Tashmë listës i shtohet edhe formulari i akreditimit: një procedurë ku gazetarit i kërkohet të deklarojë ku banon, të provojë ku punon dhe të dorëzojë dokumentacion personal, vetëm për të marrë një kartë që sërish nuk i garanton të drejtën për të ushtruar lirisht punën e tij brenda GJKKO-së.
