Tërmeti i 26 nëntorit sensibilizoi të gjithë shqiptarët në një nga fushatat më të mëdha të solidaritetit jo vetëm njerëzor por edhe financiar për t’i ardhur në ndihmë atyre që humbën familjarët dhe peronat e tyre si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike. Kështu, krahas shteteve dhe organizatave të ndryshme, bizneseve dhe qytetarëve të ndryshëm, në këtë fushatë u angazhuan edhe forcat politike. Ndërsa Partia Demokratike në opozitë mblodhi ndihma në ushqime, veshje e shtretër për të prekurit nga tërmeti, Partia, Socialiste vendosi që të gjithë përfaqësuesit e saj të zgjedhur në qeveri, Kuvend dhe pushtetin lokal të vinin në dispozicion pagën e tyre të muajit nëntor. Por ndonëse bëhet fjalë për një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore që ka goditur vendin tonë, duket se jo e gjithë politika ka qenë e bashkuar në solidaritetin e treguar me banorët e prekur nga tërmeti. Kjo vihet re më së shumti në Kuvendin e Shqipërisë, që jo të gjithë deputetët i janë bashkuar nismës së grupit të PS-së për të dhuruar pagën e muajit nëntor për përballimin e situatës së shkaktuar nga tërmeti.
Edhe deputeti tjetër i mazhorancës, Tom Doshi, ndonëse voton çdo vendim dhe nismë të qeverisë, rezulton po ashtu në listën e deputetëve që nuk ka dhuruar pagën e muajit nëntor për tërmetin. Kësaj liste i shtohen deputetët Reme Lala, Elena Xhina, Gjetan Gjetani të cilët po ashtu megjithëse de fakto janë pjesë e mazhorancës dhe votojnë çdo nismë të shumicës socialiste, nuk i janë bashkuar nismës për dhurimin e pagës. Po ashtu pjesë e listës së deputetëve që nuk e kanë dhuruar pagën për tërmetin janë edhe deputetët e opozitës, përfshi, nënkryetarin e Kuvendit Muslim Murrizi, Rudina Hajdarin, Lefter Kokën, e gjithë deputetët e tjerë të kësaj opozite. Gjithsesi fakti që këta deputetë kanë zgjedhur të mos dhurojnë pagën nuk do të thotë që ata nuk kanë kontribuar qoftë edhe financiarisht për përballimin e situatës emergjente që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Shumë prej tyre u angazhuan edhe gjatë ditëve të para personalisht në terren duke i ardhur në ndihmë familjeve të dëmtuara nga tërmeti. Por kjo vlen vetëm për pjesën e pagës, pasi edhe deputetët socialistë që ndërmorën këtë nismë rezulton që të kenë marrë pjesën e përfitimeve të tjera financiare siç janë pagesa e karburantit, telefonit, dietat, bonusin e qirave etj, që në to-tal shkojnë mbi 150 mijë lekë të rinj. /tirananews.al