Në rrjetin “WhatsApp” qarkulloi një tjetër databazë me të dhëna personale, si dhe listën e pagave të shqiptarëve për muajin prill 2021, dy ditë pasi u publikua lista për muajin janar. Të dyja listat janë në të njëjtin format, programin “Exel”. Edhe në këtë listë është publikuar numri i identifikimit personal (ID), emri dhe mbiemri, paga e punës, pozicioni dhe vendi ku punon.
Ajo që ka ngjallur më shumë kureshtjen e qytetarëve pas publikimit të skandalit të pagave të muajit janar dhe prill është fakti që sa paguhet VIP-at e ekranit dhe drejtueset e emisioneve televizive të formateve argëtuese.
Në databazën që qarkullon, paga e atyre për janarin dhe prillin varion nga 73 mijë lekë deri në 1 milionë lekë (ose 10 mije USD). Në qoftë se marrim për bazë këto shifra, VIP-at e ekranit paguhen shumë më shumë se kolegët e tyre në fusha të tjera. Turjan Hysko rezulton të jenë një ndër më të paguarit, pasi producenti i programit të humorit “Klanifornia” ka marrë një rrogë mujore prej 1 milion lekësh (10 mije USD). Shumë afër tij është prezantuesja e programit “Big Brother”, Arbana Osmani, e cila ka përfituar një pagë prej 986 mijë lekësh lekë në prill.
Ajo që bie në sy është se për të dy nuk ka asnjë ndryshim të pagës në këto muaj. Pas tyre, me një pagë prej 542 mijë lekësh renditet prezantuesja Luana Vjollca dhe me 455 mijë lekë Bieta Sulo. Prezantuesja Marina Vjollca ka përfituar në muajt janar dhe prill një pagë të pandryshuar, prej 390 mijë lekësh, ndërsa prezantuesja e “Për’Puthen”, Bora Zemani, është paguar në shumën prej 321 mijë lekësh. Një rënie drastike të pagës nga 432 mijë lekë muajin janar në 190 mijë lekë në prill ka pasur Ledion Liço, ndërsa autorja Olsa Muhameti ka pasur zbritje të pagës nga 508 mijë lekë në janar në 332 në muajin prill.
Ajo që bie në sy në këtë listë të pagave janë shifrat e ulëta me të cilat paguajnë veten çifti i njohur Ermal Mamaqi dhe Amarda Toska, konkretisht 120 mijë lekë dhe 80 mijë lekë. Vëmendje ka tërhequr edhe paga e ulët e ish-prezantueses së njohur Inis Gjoni, e cila ka përfituar një pagë si pedagoge prej 73 mijë lekësh në janar dhe 81 mijë lekë në prill. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për zbulimin e burimit të kësaj databaze, duke sekuestruar serverët e 3 institucioneve shtetërore që i disponojnë dhe kanë përgjegjësi në ruajtjen e të dhënave personale të qytetarëve.

