Për të dytën ditë, administrata e Gjykatës së Tiranës, dhoma civile dhe penale bojkotoi punën dhe nuk ofroi shërbime.
Nën të njëjtin shembull, edhe në disa gjykata të tjera të vendit nisi reagimi për shkak të bllokimit të pagave nga Thesari, pas ngërçit të krijuar me përllogaritjen e rrogave të sistemit të drejtësisë.
Në Fier, sekretariati dhe administrata kanë bojkotuar punën, ndërsa shërbimet ofrohen vetëm për seancat gjyqësore me karakter urgjent për masat e sigurisë.
Kjo ka shkaktuar edhe pakënaqësitë e para. Avokati Jurid Sharka thotë se qytetarët duhet të ishin njoftuar paraprakisht.
“Bojkoti është i drejtë, në zbatim të të gjitha kritereve ligjore që përcaktohen në kushtetutën shqiptare, por që do ta mbështesin bojkotin duke marrë masa paraprake për njoftimin e zhvillimit të këtij bojkoti”, thotë ai.
Ndërkohë vetë gjykata ka bërë gjatë ditës një njoftim mbi bojkotin duke thënë se nuk ende një vendim se kur do të përfundojë.
Sportelet që ofrojnë shërbim për qytetarët u mbyllën edhe në Vlorë. Ato do të funksionojnë vetëm me orare të reduktuara në mesditë për çështjet urgjente.
Gjatë ditës nuk u zhvillua as një seancë gjyqësore ndërsa gjykata nuk ka ende një afat se deri kur nuk do të vijohet me bllokimin e seancave gjyqësore.
Rreth 35 punonjës të administratës së Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Lushnjë bojkotuan punën për rreth dy orë. Punonjësit kërkojnë që t’u kalojë paga e muajit, e cila duhej të ishte marrë më datë 3 shtator. Ata paralajmërojnë se protesta do të përsëritet edhe në ditët në vijim, deri në momentin që pagat të kalojnë.
Bllokimi i pagave erdhi pas vendimit të KLGJ dhe KLP për të përcaktuar vetë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në kushtet kur Kuvendi nuk i dha zgjidhje detyrimit për ripërllogaritjen e pagave pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërkohë të enjten pritet që të ketë një mbledhje të jashtëzakonshme të gjyqtarëve. Edhe Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, mblodhi dje drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të KLP-së dhe Shoqatën e Prokurorëve.
Në takim u theksua nevoja për një zgjidhje të shpejtë nga Kuvendi, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
