Analistët dhe aktivistët fajësuan për rrëmbimin shërbimet e inteligjencës dhe reagimin e ngadaltë të autoriteteve të sigurisë. Rrëmbimi masiv për shpërblim është një problem i madh në vend.
NIGERI- Persona të armatosur rrëmbyen të shtunën të paktën 15 nxënës nga një shkollë islame në shtetin Sokoto në Nigerinë veriperëndimore. Ky është rrëmbimi i dytë i nxënësve brenda 48 orëve, pas rrëmbimit të rreth 300 fëmijëve të enjten nga një shkollë në Kuriga, në shtetin Kaduna .
Drejtori i shkollës, Abubakar Liman, raportoi se persona të armatosur pushtuan fshatin Gidan Bakuso dhe rrëmbyen 15 nxënës , të moshës 8-14 vjeç, si dhe një grua. Një ditë më parë, forcat e sigurisë përfshinë zona të mëdha pyjore në Nigerinë veriperëndimore, duke kërkuar për gati 300 fëmijë që u rrëmbyen nga shkolla e tyre. Analistët dhe aktivistët fajësuan për rrëmbimin shërbimet e inteligjencës dhe reagimin e ngadaltë të autoriteteve të sigurisë. Rrëmbimi masiv për shpërblim është një problem i madh në vend.
Në disa raste, kur të afërmit e të rrëmbyerve nuk paguajnë shpërblimin, personat e armatosur nuk hezitojnë të vrasin robërit dhe t’i lënë trupat në ndonjë pyll. Në vitet e fundit, bandat e banditëve kanë sulmuar vazhdimisht shkollat, kryesisht në zonat rurale të shteteve në veriperëndim të Nigerisë .
Presidenti Bola Ahmed Tinubu erdhi në pushtet në vitin 2023 duke premtuar se do t’i jepte fund valës së dhunës, veçanërisht aktivitetit të grupeve xhihadiste dhe bandave në veri, si dhe përleshjet ndërkomunale në shtetet qendrore.