Filmi “Policë për kokë” sjell Nik Xhelilajn në rolin e një efektivi rendi përkrah Olsi Bylykut. Për “Jo Vetëm Modë” në Tv Klan, Niku komenton atë që shpesh e kanë quajtur “rikthim” ose “largesë” të tij nga Shqipëria, por ai ka qenë gjithnjë aty.
“Ndodhi rastësi. Këtë momentin e rikthimit apo moskthimit apo ku di unë, largesës, nuk është se ka ndonjë gjë edhe aq të vërtetë sepse në momentin që vjen një projekt nga një regjisor i ri, i vjetër, ç’rëndësi ka, unë gjithmonë aty jam. Stambolli ja ku është, Berlini ja ku është. Në këtë moment qëlloi që ky, ne filluam më duket javën e tretë apo të katërt të Korrikut e deri tani, qëlloi fiks që unë nuk kisha asgjë për të bërë. Në Turqi kam qenë këtë vitin e fundit, në Turqi fillon sezoni i serialeve diku nga fundi i Gushtit dhe unë isha thjesht gati, rastisa bosh”, deklaron Nik Xhelilaj.
Maksi, polici që do të portretizojë Niku, është një idealist që ‘përplaset’ me kolegun e tij ‘trazovaç’.
“Është një detektiv, pjesë e sigurimit të Policisë Shqiptare, të shtetit shqiptar, është civil, aktivizohet në Policinë e Rendit shqiptar në një mision të veçantë. Është një personazh shumë idealist, beson akoma në shtetin e së drejtës dhe jo vetëm që beson për atë, por lufton deri në pikën e fundit”, u shpreh Nik Xhelilaj.
Në rol aty mbase është edhe çelësi i kësaj, “Policëve për kokë” sepse në natyrat e tyre janë ekstrem të kundërta. Xhino është në fillim, si të thuash, një bela e lezetshme për Maksin, por shumë shpejt Maksi e sjell në shina Xhinon.