Me ftesë të Presidentit të Dhomës së Deputetëve të Italisë, Lorenzo Fontana, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po zhvillon një vizitë zyrtare në Romë.
Në takimin me Presidentin e Dhomës së Deputetëve, Fontana, Kryetarja Nikolla vuri në dukje se midis Shqipërisë dhe Italisë po zhvillohet një partneritet strategjik dhe bashkëpunim i shkëlqyer dypalësh, i cili mbështetet në marrëdhëniet historike, kulturore, ekonomike, politike e njerëzore mes dy popujve.
“Italia ka qenë ndër mbështetësit më të fortë të Shqipërisë gjatë 30 viteve të fundit dhe një avokate e fuqishme e integrimit evropian të Shqipërisë. Dhe ne kemi besim se kjo mbështetje do të vijojë edhe gjatë zhvillimit të negociatave. Vlerësojmë faktin që qeveria e re italiane e konsideron prioritet rajonin e Ballkanit dhe do ta fokusojë angazhimin e saj politik në procesin e integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit”, u shpreh Nikolla.
Ajo vuri në dukje se, Samiti BE-BP, i mbajtur në Tiranë më 6 dhjetor 2022, ishte një sinjal i fortë për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
“Italia është gjithashtu një partnere e privilegjuar tregtare dhe një nga donatorët kryesorë dypalësh të Shqipërisë. Emigrantët shqiptarë dhe komuniteti arbëresh në Itali, si edhe prania e shtetasve italianë në Shqipëri, po shërbejnë si ura të miqësisë midis dy popujve tanë”, shtoi ajo.
Kryetarja Nikolla vlerësoi angazhimin politik të qeverisë italiane dhe nismën e Dhomës së Deputetëve për të alokuar fonde për zbatimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe i sugjeroi Presidentit Fontana përfundimin sa më shpejt të këtij procesi.
Kryetarja Nikolla vlerësoi kryesimin e shkëlqyer nga ana e Italisë të Këshillit të Evropës gjatë periudhës nëntor 2021-maj 2022 dhe bashkëpunimin mes vendeve tona në këtë organizatë të madhe e të rëndësishme evropiane.
Gjithashtu, Nikolla kërkoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE si edhe për Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Mbi pretendimet e pabazuara për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, si një domosdoshmëri absolute për pajtimin dhe stabilitetin afatgjatë në Ballkan.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Lorenzo Fontana, vuri në dukje se, bashkëpunimi dypalësh mes Italisë dhe Shqipërisë do të vijojë në të gjitha fushat dhe po kështu edhe mbështetja për integrimin evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, i cili e ka vendin në BE.
“Dhoma e Deputetëve do të nxisë këtë mbështetje. Diplomacia parlamentare do t’i shërbejë zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe miqësisë mes dy popujve. Shqipëria dhe Italia janë dy fqinjë me lidhje njerëzore, të pandara nga njëra-tjetra”, tha ai.
Bashkëbiseduesit vlerësuan si një moment historik pranimin nga Kosova dhe Serbia të Planit Evropian për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nënvizuan se paqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen e të dy vendeve dhe paqen në rajon.
Shqipëria dhe Italia mbështesin luftën e drejtë të Ukrainës kundër agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar rus. Shqipëria, si një anëtare jo e përhershme e KS të OKB dhe bashkëpenëmbajtëse me SHBA për çështjen e Ukrainës, po luan një rol kyç dhe aktiv në sigurimin e kësaj mbështetjeje.
Kryeparlamentarët Nikolla dhe Fontana diskutuan edhe mbi bashkëpunimin mes dy vendeve e dy parlamenteve në organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale.