Duke filluar nga sot, për 3 ditë me radhë, Shqipëria mirëpret edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, një ngjarje që deri më 15 prill bashkon në kryeqytet personalitete nga politika, ekonomia, shkenca dhe arti, me synimin për të forcuar lidhjet mes shqiptarëve kudo në botë.
Ceremonia hapëse e samitit me moton “Diaspora rikthehet në shtëpi” po zhvillohet këtë pasdite në Teatrin Kombëtar të Peras dhe Baletit, ku të pranishëm ishin edhe Presidenti Bajram Begaj dhe kryeministri Edi Rama.
I pari që mori fjalën, ishte Presidenti Bajram Begaj, i cili theksoi se shqiptaria nuk mbaron brenda kufijve të vendit tonë, por sipas tij, është një zemër që rreh kudo ku ka shqiptarë.
Begaj shtoi gjithashtu se sot kur flasim për Diasporën shqiptare, flasim për ndikim global, pasi sipas Presidentit, shqiptarët janë në majat e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale, në institucionet ndërkombëtare dhe në universitetet më të mira ndërkombëtare.
“Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës sesi mendojmë për shtetin dhe për të ardhmen. Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për diasporën sot, flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty, nga maja e IA, te institucionet ndërkombëtare, te auditorët e universiteteve më të mira, te arti e sporti”, tha mes të tjerash Begaj.
Më pas disa personalitete të Diasporës shqiptare, që kanë dhënë kontribut të çmuar në fusha të ndryshme kudo në botë, u dekoruan me Urdhra të ndryshëm nga Presidenti Bajram Begaj.
Personalitetet e dekoruara nga Presidenti Begaj:
Mjeku Gentian Toshkezi nderohet me ‘Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës’
Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Lorik Cana nderohet me ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’
Akademikja Klarita Gërxhani nderohet me ‘Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik’
Akademikja Shqiponjë Telhaj nderohet me ‘Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik’
Markus Schuhmann nderohet me ‘Oficer i Urdhrit të Skënderbeut’
Anders Lindberg nderohet me ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’
Më tej, pas dekorimeve, të gjithë personalitetet e vlerësuara nga Presidenti Begaj mbajtën fjalën e tyre para të pranishmëve. Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të Futbollit, Lorik Cana, deklaroi se krenaria më e madhe e jetës së tij ka qenë ngritja lart e emrit të shqiptarëve anembanë botës.
“Vërtetë rrugëtimi im në ato kohë ka qenë i vështirë. Duke u rikthyer në këtë Samitin e Diasporës një djalë shqiptar i Kosovës, i emigruar dhe me pasionin dhe dashurinë e tij, jo vetëm kemi bërë mirë për familjarët tanë, por jemi munduar të ngremë lart emrin e shqiptarëve anembanë dhe kjo ka qenë krenaria ime më e madhe që kam përjetuar unë dhe familjarët e mi. Duke pasur një mjet që është sporti dhe futbolli, pastaj aty e kupton që ke një përgjegjësi më të madhe. Jemi munduar që gjithmonë ta ngremë dhe konsolodojmë komunitetin tonë dhe të japim një shembull”, tha mes të tjerash Lorik Cana.
Në dy ditët në vijim do të zhvillohen gjithsej 17 panele diskutimi, 8 prej tyre më 14 prill dhe 9 më 15 prill, ku do të trajtohen çështje që lidhen me zhvillimin, bashkëpunimin dhe rolin e diasporës shqiptare në rajon dhe më gjerë.
