Janë mbi 36 mijë maturantë këtë vit që çelin sezonin e provimeve të Maturës Shtetërore me atë të Gjuhëve të huaja.
Këtë vit testi do të jetë me më shumë pyetje e rrjedhimisht me më shumë pikë. Pjesa më e madhe e tyre do të jenë me alternativa, korrigjimi i të cilave do të bëhet në mënyrë elektronike. Për këtë, Qendra e Shërbimeve Arsimore ka ardhur në ndihmë me një fletudhëzues për përgjigjet, që shpresojmë të mos i konfondojë më shumë maturantët në këtë periudhë, jo pak stresuese për ta. Provimi do të nisë në 8 e 30, por maturantët duhet të kenë parasysh paraqitjen së paku gjysmë ore përpara për t’iu nënshtruar apelit dhe kontrolleve për pajisje elektronike.
Një mjet identifikimi, stilolaps dhe një shishe me ujë janë të vetmet gjëra që lejohen në ambientet e provimit, që zgjat 2 orë e 30 minuta. Largësia mes maturantëve do të jetë një metër në klasën me mesatarisht 15 nxënës. Ekspertët e MAS janë kujdesur edhe më herët që administratorët e provimeve të mos jenë mësuesit e shkollës. Pas këtij provimi, pesë ditë më vonë, maturantët i nënshtrohen provimit të Gjuhës shqipe e Letërsisë, në datën 17 atij të Matematikës për ta finalizuar me provimin e vetëm me zgjedhje në datën 24 qershor.
PYETJET ME ALTERNATIVA
“Pyetjet me alternativa do të korrigjohen në formë digjitale nga sistemi i ngritur në QSHA. Në të katër provimet e Maturës Shtetërore 2019, maturantët/kandidatët, përveç testit, duhet të plotësojnë dhe një fletëpërgjigje për pyetjet me zgjedhje (alternativa). Udhëzoni maturantët/kandidatët, të lexojnë me vëmendje udhëzimet e dhëna në fletëpërgjigje, para se ta plotësojnë atë. Fletëpërgjigjet përmbajnë disa udhëzime të përgjithshme për të ndihmuar maturantin/kandidatin në plotësimin e saj”, theksohet në udhëzimin e QSHA-së.
Ky i fundit apelon maturantët që të kenë kujdes, duke plotësuar më parë testin dhe në fund fletëpërgjigjen për pyetjet me alternativa, që mund të jenë të shpërndara në test dhe jo njëra pas tjetrës. “Udhëzoni maturantin/ kandidatin si të veprojë saktë për të mbushur rrathët e tabelës, për secilën pyetje. Materiali t’u shpërndahet sa më parë shkollave, në mënyrë që nxënësit të familjarizohen me plotësimin e fletëpërgjigjes për pyetjet me zgjedhje (alternativa). Udhëzuesi bashkë me modelin e fletëpërgjigjes, të vendosen në këndin e maturës së çdo shkolle”, nënvizon QSHA.