INSTAT parashikon që Censi i popullsisë të nisë në 18 shtator 2023 dhe do të vijojë për një periudhë gjashtë javore, duke targetuar të gjithë popullsinë. Ndërsa pas numërimit në terren, INSTAT do të organizojë anketën “Pas Censit”, për të llogaritur nivelin e besueshmërisë dhe cilësinë e të dhënave të mbledhura duke përdorur modele statistikore të rekomanduara nga organizatat ndërkombëtare.
Gjatë muajit maj- qershor 2022 u krye testi i katërt, qëllimi të cilit ishte testimi i aplikacioneve për mbledhjen e të dhënave me pyetësorin e përditësuar pas pilot-censit të dytë të zhvilluar në tetor 2021. Pilot Censi u krye në 50 zona të ndryshme të shpërndara në nëntë bashki. Gjetjet u analizuan dhe shërbyen si bazë për përmirësimin e Censit në të gjitha fazat duke i hapur rrugë kështu implementimit të plotë të tij. Sipas bazës ligjore, qytetarët që refuzojnë të japin informacionin e kërkuar do të gjobiten deri në 100 mijë lekë.
Në cens do të regjistrohen ekonomitë familjare, individët, migracioni, banesat, arsimimi, punësimi, pakicat kombëtare, dhe numri i të huajve në vendin tonë. Ndërkohë me këto të dhëna të gjeneruara deri më tani, synohet të kryhet gjithashtu një testim i regjistrit statistikor të ndërtesave dhe banesave. Fokusi do të jetë ndërtimi i një gjeo-databaze, pasi të kryhet kontrolli i cilësisë së të dhënave nga sektorët përgjegjës, do të analizohen dhe integrohen në gjeo databazë të dhënat e disponueshme nga drejtoria e përgjithshme e gjendjes civile.
