Ka nisur vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e nënkryetarëve, hapi i fundit për konstituimin e plotë të institucionit. Në sallë janë të pranishëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës mungon, pasi ka vendosur të bojkotojë seancat e Kuvendit.
PDK ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në punimet e Kuvendit deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese për procesin e konstituimit të legjislativit. Në një komunikatë, partia akuzon Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe bllokim të procesit, duke theksuar se Kuvendi duhej të ishte konstituuar brenda afatit 30-ditor, më së largu deri më 7 gusht.
Partia kundërshton gjithashtu lidhjen e zgjedhjes së nënkryetarëve me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se “Kushtetuta nuk është pazar politik”. Sipas PDK-së, ekspertët e saj po përgatisin lëndën që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht bojkotit, Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se do të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën. Sipas LVV-së, ky vendim synon të zhbllokojë procesin e konstituimit dhe të shmangë zgjedhjet e reja. Të njëjtin qëndrim e përsëritën edhe deputetët e saj teksa hynin në Kuvend për seancën e sotme.
Nga ana tjetër, kryetari i Aleancës Ardian Gjini, e ka cilësuar ndryshimin e qëndrimit të Vetëvendosjes pjesë të një skenari për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, problemi nuk ka qenë te kandidatët për nënkryetarë, por te arritja e afateve që, sipas opozitës, mund të çojnë në një tjetër proces zgjedhor. Të njëjtin interpretim ka dhënë edhe deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku.
Konstituimi i Kuvendit mbetet hapi i fundit për ngritjen e institucioneve të reja në Kosovë. Vetëm pas zgjedhjes së nënkryetarëve mund të nisin procedurat për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit.
Pikërisht zgjedhja e kreut të shtetit është kthyer në pikën kryesore të përplasjes politike. Vetëvendosje kërkon që, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët të marrin pjesë edhe në seancën për zgjedhjen e presidentit, ndërsa PDK kundërshton lidhjen e këtyre dy proceseve dhe për këtë arsye ka vendosur t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Për zgjedhjen e presidentit kërkohet prania e të paktën 80 deputetëve në sallë. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, Kosova do të duhet të shkojë sërish në zgjedhje.
