Studentët në Shqipëri për herë të parë këtë vit kanë mundësi të marrin kredi dhe ta shlyejnë atë pas përfundimit të universitetit.
Agjencia Kombëtare e Financimit të Arsimit të Lartë njofton se aplikimet janë hapur. Çdo student me kombësi shqiptare që nuk përfiton bursë të plotë apo përjashtim nga tarifa mund të plotësojë këtë formular e së bashku me një listë dokumentash ta dërgojë atë në AKFAL.
Kredia studentore jepet pa kolateral dhe financimi bëhet me dy këste, dy herë në vit. Detyrimi i shlyerjes së kredisë fillon pas tre vitesh kur janë të ciklit të parë, pas dy vitesh kur janë të ciklit të dytë dhe pas 5 vitesh për programet e integruara.
Kredia studentore do të mbulojë tarifën e studimit si dhe kostot e jetesës, që përllogaritet në masën 40.000 Lekë/muaj. Në ditët e para të nisjes së aplikimeve, kryesojnë kërkesat nga të rinjtë që studiojnë në Tiranë.
Aplikimet janë të hapura këtë muaj, brenda se cilit do të mbyllet edhe vlerësimi i listës përfudimtare të studentëve që plotësojnë kriteret.
Një pjesë e normës së interesit të kredisë e cila është 6 %, do të financohet nga buxheti i shtetit.