Aktori shqiptar është bërë pjesë e kastit të një prej sagës më të ndjekur italiane, ‘Sul piu Bello’. Ai quhet Jozef Gjura dhe është vetëm 25 vjeç. Filmi i njohur italian është xhiruar i gjithi në Torino dhe flet për historinë e Martës, një vajze e cila vuan nga një sëmundje e rrallë. Këto vuajtje ajo i përballon krah dy shokëve të saj Fredericca-s dhe Jacopo, i cili interpretohet nga aktori me origjinë shqiptare.
Ndërkohë, aktori Jozef Gjura ka lindur në Shkodër në vitin 1994. Në moshën 6-vjeçare, ai u transferua në Itali së bashku me prindërit. Gjura është diplomuar “Teatro Stabile” të Torinos për aktrim por ka punuar edhe si fotomodel. Aktori shqiptar ka qenë gjithashtu edhe imazh i brand-it të njohur italian, “Ferragamo”.
Gjatë një interviste të dhënë para dy vitesh për mediat shqiptare, Gjura u shpreh se flet shumë mirë shqip.“Më pëlqen shumë të flas shqip, nëse do të kem një fëmijë, do t’i flas shqip. Shkoj shpesh në Shqipëri e përherë më shkakton një efekt të çuditshëm, pasi është diçka që më përket por, që njëkohësisht e ndiej të largët”, është shprehur aktori i njohur.



