Seanca e së shtunës për masat e sigurisë ndaj tre të dyshuarave për “zhdukjen” e 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës u shoqërua me përplasje të forta mes prokurorisë dhe mbrojtjes së ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Mataj, e cila është gjithashtu anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës, u vu në qendër të akuzave të organit të akuzës, i cili pretendon se lëvizja e shumave monetare është kryer në shkelje të rregullave dhe pa shoqërimin e detyrueshëm nga siguria fizike.
Sipas prokurorisë, gjatë muajve prill dhe maj janë kryer veprime kontabël për nxjerrjen nga arka qendrore të rreth 69 milionë lekëve, të cilat nuk janë regjistruar si hyrje në degët e Shijakut dhe Krujës. Organi i akuzës foli gjithashtu për mandatepagesa të dyshuara si të falsifikuara dhe akuzoi drejtpërdrejt Matajn për përvetësimin e shumës, pretendim që është kundërshtuar nga ajo dhe mbrojtja e saj.
Një tjetër element i paraqitur nga prokuroria ishte frekuentimi i kazinove nga ish-drejtoresha dhe bashkëshorti i saj. Sipas akuzës, Mataj rezulton të ketë hyrë 335 herë në kazino në Tiranë, ndërsa gjatë periudhës prill-maj, kur dyshohet se mungojnë 69 milionë lekët, ajo ka frekuentuar ambientet e lojërave të fatit 27 herë. Prokuroria deklaroi gjithashtu se bashkëshorti i saj ka 340 hyrje në kazino gjatë muajve të fundit.
Sipas organit të akuzës, janë siguruar edhe pamje filmike të hyrje-daljeve nga dy kazino në Tiranë ku kanë frekuentuar çifti Mataj. Mbrojtja e konsideroi këtë veprim si cenim të jetës private.
Pas vendimit të gjykatës, bashkëshorti i Elisabetës, Feta Mataj, deklaroi se familja e tij i frekuenton kazinotë prej 8 vitesh dhe se kjo nuk ka lidhje me çështjen e Postës.
Mbrojtja e ish-drejtoreshës kërkoi bashkimin e procedimeve penale dhe administrimin e të gjitha pamjeve filmike, duke pretenduar se disa prova në favor të Matajt nuk janë përfshirë në dosjen e akuzës, duke cenuar barazinë në proces.
Avokatja Gerta Gorjani kërkoi një masë më të butë sigurie, duke argumentuar se klientja e saj është nënë e gjashtë fëmijëve dhe se nuk ekziston rreziku i largimit. Ajo kundërshtoi gjithashtu pretendimin e prokurorisë se Mataj ishte larguar nga Shqipëria më 10 korrik për t’iu shmangur drejtësisë.
Sipas mbrojtjes, hyrja e Matajt në vend është kryer nga pika kufitare e Morinës, e cila nuk regjistrohet në sistemin TIMS për shkak të marrëveshjeve me Kosovën.
Në seancë, avokatët paraqitën edhe dokumente që, sipas tyre, tregojnë se Mataj kishte sinjalizuar prej muajit mars problematika në sektorin financiar. Sipas mbrojtjes, ajo kishte nxjerrë urdhra për kufizimin e hyrjeve në arkë, kishte kërkuar kontrolle, kishte propozuar masa disiplinore për arkëtaren dhe shefen e financës, si dhe kishte informuar Drejtorinë e Përgjithshme për problematikat e konstatuara.
Nga ana tjetër, ish-shefja e financës Valbona Duni deklaroi se paratë janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë kthyer më. Ndërsa arkëtarja Paola Dana u shpreh se nuk ka përfituar asnjë shumë dhe deklaroi: “Pa urdhrin e drejtoreshës nuk lëviz as miza. E dinë të gjithë”.
Dana, nënë e një fëmije 1.5 vjeç, tha se paratë ia kishte dorëzuar në çdo rast shefes së financës.
Gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest në burg” për Elisabeta Matajn, ndërsa për Valbona Dunin dhe Paola Danën caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Për këtë çështje janë regjistruar tre kallëzime penale: kallëzimi i Postës Shqiptare ndaj të trijave, kallëzimi i Valbona Dunit ndaj Elisabeta Matajt dhe kallëzimi i Matajt ndaj Valbona Dunit dhe Paola Danës. Prokuroria pritet t’i bashkojë këto procedime në një hetim të vetëm.
