Një informator i FBI-së është akuzuar për fabrikimin e një skeme ryshfeti shumëmilionëshe që përfshin presidentin amerikan Joe Biden, të birin e tij Hunter dhe një kompani energjetike ukrainase. Çështje është në qendër të përpjekjeve të republikanëve për hetime ndaj presidentit Biden në Kongresin amerikan.
Alexander Smirnov raportoi në mënyrë të rreme në FBI në qershor 2020 se drejtuesit e lidhur me kompaninë ukrainase të energjisë Burisma, i paguan Hunter dhe Joe Biden 5 milionë dollarë secilit në vitin 2015 ose 2016, thanë prokurorët në aktakuzë.
Smirnov i tha menaxherit të tij se një ekzekutiv pretendonte se kishte punësuar Hunter Biden për të “na mbrojtur, nëpërmjet babait të tij, nga të gjitha llojet e problemeve”, sipas dokumenteve të gjykatës.
Prokurorët thonë se Smirnov në fakt kishte vetëm marrëdhënie biznesi rutinë me kompaninë në vitin 2017 dhe i bëri akuzat për ryshfet pasi ai “shprehte paragjykime” kundër Joe Biden ndërsa ishte kandidat presidencial.
Smirnov, 43 vjeç, doli para gjykatës në Las Vegas të enjten, pasi ndaj tij u ngrit akuzë për deklarim të rremë. Ai nuk u deklarua rreth akuzës. Gjykatësi urdhëroi që të gjithë të largoheshin nga salla e gjyqit, pasi mbrojtësja publike federale, Margaret Wightman Lambrose, kërkoi seancë të mbyllur në kohën kur do të jepeshin argumentet lidhur me dokumentet e “besueshme” të gjykatës. Ajo nuk pranoi të komentojë për rastin.
Pretendimet e informatorit kanë qenë në qendër të përpjekjeve të republikanëve në Kongres për të hetuar presidentin dhe familjen e tij dhe ndihmuan në nisjen e e asaj që tani është një hetim i Dhomës së Përfaqësuesve për shkarkimin e presidentit Biden.
Një avokat i Hunter Biden, tha se akuzat tregojnë se hetimi është “bazuar në pretendime të pandershme, të pabesueshme në dëshmitarë”.
Ligjvënësi kryesor demokrat në Komisionin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, Jamie Raskin, tha se akuzat nga republikanët kundër Biden “kanë qenë gjithmonë një ind gënjeshtrash i ndërtuar mbi teori konspirative”.
Ai i bëri thirrje kryeparlamentarit Mike Johnson, Kryetarit të Komitetit Mbikëqyrës James Comer dhe republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve “të ndalojnë së promovuari këto marrëzi dhe t’i japin fund hetimit të tyre të fajësimit”.
Por, udhëheqësi republikan i Komisionit Mbikëqyrës, James Comer, e minimizoi rëndësinë e informatorit, i cili ishte në qendër të fillimit të hetimeve.
Ai tha se hetimi “bazohet në një histori të madhe provash, duke përfshirë të dhënat bankare dhe ato të dëshmitarëve”. Komisioni, tha ai, do të vazhdojë të “ndjekë faktet” dhe të përcaktojë nëse do të vazhdojë me hetimet për shkarkim të presidentit.
Prokurorët thanë në aktakuzë se informatori Smirnov kishte pasur kontakt me drejtuesit e Burismas, por ato ishin kontakte rutinore dhe puna e vërtetë e tij me këtë kompani nisi në vitin 2017, pasi presidenti Barack Obama dhe nënpresidenti Biden i dhanë fund mandatit dhe Biden nuk kishte në gjendje të ndikonte në politikën amerikane.
Smirnov kaloi nga “kontaktet rutinë në kontakte të jashtëzakonshme biznesi me Burisman në vitin 2017 dhe më pas bëri pretendimet për ryshfet ndaj kandidatit për president”, thuhet në aktakuzë.
Prokurorët thanë se ai përsëriti disa nga pretendimet e rreme kur u intervistua nga agjentët e FBI-së në shtator të vitit 2023 dhe ndryshoi historinë “duke shpikur një rrëfim të ri të rremë pasi tha se u takua me zyrtarë rusë”. Nëse shpallet fajtor, Smirnov mund të dënohet deri në 25 vjet heqje lirie.
Akuzat u ngritën nga këshilltari special i Departamentit të Drejtësisë, David Weiss, i cili ka akuzuar veçmas Hunter Biden për shkelje të ligjit të armëve të zjarrit dhe taksave.