Të dielën, Kisha Ortodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të ketë kryepeshkopin e ri. Sinodi i Shenjtë i Kishës ka lajmëruar se zgjedhja do të bëhet të Dielën e Dytë të Kreshmës, në Qendrën Sinodike.
Është lajmëruar që procesi do të nisë që në mëngjes me meshën e së dielës. Pas meshës fillon procesi i zgjedhjes nga ana e Sinodit dhe pasi mbaron votimi, shpallet emri i Kryepeshkopit të ri.
Ai do të pritet me ceremoni të veçantë dhe do të hyjë në Kishën Katedrale në Tiranë. Kambanat e saj dhe kambanat e të gjitha kishave ortodokse në Shqipëri do të bien në nder të këtij procesi.
Anastasi u emërua Kryepeshkop i Shqipërisë nga Patriarkana e Stambollit menjëherë sapo komunizmi u rrëzua. Detyra e tij ishte ringritja e një kishe të shkatërruar nga ateizmi. Një nga dëshirat e tij ishte zgjedhja në krye të Kishës të një kleriku shqiptar.
Pjesa dërmuese e klerikëve janë shqiptarë. Në Mitropolinë e Korçës, Hirësia e tij Joani; në Mitropolinë e Beratit, Vlorës dhe Kaninës, Hirësia e tij Asti. Në Mitropolinë e Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e tij Nikolla; në Mitropolinë e Elbasanit, Hirësia e tij. Në Mitropolinë e Krujës, Hirësia e tij Anastasi.