Kur kanë kaluar më shumë se dy muaj nga vrasja tronditëse në pritë e Liridona Ademaj, nënës së dy fëmijëve, krim i porositur nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, duket se hetimet në Kosovë, kanë mbetur në një pikë pa kthim, gati të vdekur. Askush nuk ka më dyshim se vrasësi i vërtetë është bashkëshorti, por ku të gjithë janë në kërkim të një vërtete, një motivi të qenësishëm, përse Naim Murseli kërkoi me çdo kusht ekzekutimin e nënës së fëmijëve të tij.
Çfarë ajo dinte që e çoi njeriun me të cilin kishte ndarë rreth 13 vite bashkëjetesë, të ndërmerrte aktin e ekzekutimit të tij? Çfarë po përpiqet sot Naim Murseli të fshehë, apo të manipulojë opinionin publik, duke ngritur nga dëshmia në dëshmi, skenarë të rinj, gati sureale. Rrëfime të pabesueshme të cilat kanë krijuar bindjen edhe te grupi hetues, se përpara tyre kanë të bëjnë me një gënjeshtar kompulsiv, i cili e ka futur veten në një rreth vicioz gënjeshtrash të vazhdueshme, nga të cilat sa herë përpiqet të dalë, aq më shumë po e rëndon situatën e tij para ligjit. Kështu duket edhe historia e re që po kërkon të krijojë mbi vrasjen e bashkëshortes, Liridonës, për të cilën vazhdon të insistojë se nuk është ai porositës i vrasjes së saj, mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në rrugën ‘Dalip Alshiqi’ në Prishtinë, vetëm 500 metra larg banesës së tyre të re.
Fillimisht tha për grupin hetues se familja e tij, e cila në këtë orë po lëvizte me makinë, drejt banesës së tyre në Prishtinë, kishte rënë pre e një grabitësi dhe se e vetmja gjë që kish mundur të bënte ishte të merrte nga makina dy fëmijët e tij dhe të linte Liridonën të vetme në automjet. he vetëm pak çaste me tej dhe jo shumë metra pasi ishte larguar me fëmijët, të dëgjonte disa krisma arme. Por cilat janë dëshmitë e reja të Naim Murselit, ku ai përpiqet t’i japë një tjetër dinamikë krimi. Tanimë i vënë në pozitën e pakundërshtueshme të njohjes me Granit Plavën, qitësin e dokumentuar, që qëlloi mbi Liridonën, duke i marrë jetën.
Dorasin, të cilin fillimisht Naim Murseli tha se nuk e njihte, por që kamerat e sigurisë në lokalin ku ky i fundit darkoi mbrëmjen para krimit me Liridonën dhe fëmijët, treguan se Granit Plava ishte aty, duke vëzhguar lëvizjet e tyre. Para se t’i ndiqte deri në kthesën e rrugës ku u zuri pritë dhe qëlloi ndaj 30-vjeçares. Por nëse në dëshminë e parë Naim Murseli tha se nuk e njihte Granit Plavën, në rrëfimin e radhës ai tregoi për grupin hetues se kishte krijuar me kohë njohje me të.
Madje edhe se kishte qenë ai që ia kishte blerë armën e krimit, por jo për të vrarë Liridonën, duke ia dhuruar ai paratë për të blerë armën. Po përse duhet një i panjohur t’i blejë armë një tjetër panjohuri, të cilin e takon për herë të parë dhe mbi të gjitha edhe tja dhurojë paratë me të cilën do blejë këtë armë?
“Ditën para se të ndodhte ngjarja, unë isha në Gjakovë, për punë të miat personale. Aty rastësisht jam takuar me Granit Plavën, ku Kushtrimi më ka treguar se ku do të takohemi. Takimi u krye në Kramovik, te vendi i punës i Granitit, te një karburant. Nga aty ai më pas është ngjitur në makinën time ‘Land Rover’ me targa 07 669 CM ngjyrë e zezë. Por gjatë rrugës për te restorant ‘Liqeni i Dukagjinit’ mua mu prish goma e automjetit dhe shkuam në afërsi të Dujakës, ku hasëm një servis dhe një mekanik të fshatit, që na ndihmoi të rregullonim rrugën”, thuhet në dosje.
Por çuditërisht, pikërisht në këtë pikë servisi, në prani të Naim Murselit, sipas rrëfimit të këtij të fundit, është mekaniku i këtij servisi që u është vetëofruar t’u shesë një armë zjarri.Dhe kjo pa i njohur absolutisht, dy klientët që kishin shkuar aty për të rregulluar gomën e makinës.
“Mekaniku që na ndihmoi për rregullimin e gomës, e pyeti Granit Plavën nëse ishte i interesuar për një armë. Graniti i tha:‘Po, por vetëm dua ta shoh fillimisht’. Duke qenë se i pëlqeu por nuk kishte para me vete, më kërkoi mua 250 euro. Gjatë kësaj kohe mua më merr në telefon bashkëshortja dhe më thotë se në mënyrë të papritur kishte mbërritur në Prishtinë”, thuhet në dosje.
Pra, Naim Murseli thotë në dëshminë e tij se Liridona që në këtë moment ishte në banesën e prindërve të saj, në fshatin Rracaj të Gjakovës, nuk e kishte njoftuar që po vinte në Prishtinë dhe pasi blenë armën te mekaniku i fshatit, ai edhe Graniti, me kërkesë të këtij të fundit, u drejtuan për në fshatin Kralan. Aty ku Plava do të merrte një veturë. Ku më tej të dy kanë vazhduar rrugën me dy makina të ndryshme, duke ndjekur njëri-tjetrin deri në Prishtinë, deri pranë shtëpisë së dy bashkëshortëve.
“Pasi kemi arritur pranë shtëpisë sime, Graniti që po më ndiqte nga pas me makinë, kur kemi afruar automjetet, më tha se ‘tani e di se çfarë duhet të bëj’, thuhet në dëshmi. Pra sipas Naim Murselit, ai e kishte nuhatur që Granit Plava do kryente një vrasje, por nuk bëri asgjë për ta parandaluar këtë ngjarje. Ashtu siç doli edhe atë mbrëmje, ku Naimi thotë se që në momentin e parë kur njeriu me maskë u zuri pritë, ai e dinte që ky grabitës ishte Granit Plava.
“Në afërsi të shtëpisë, Graniti doli i maskuar në rrugë me armë të drejtuar drejt nesh. Edhe pse isha ne dijeni për prezencën e tij unë asnjëherë nuk kam besuar në të vërtetë se Graniti do të marrë veprime për vrasje. I shokuar kam ndaluar, i kam çuar duart lart dhe i kam thënë Liridonës jepja të gjitha çfarë të kërkon. Në një moment unë kam hapur derën time, pastaj derën e fëmijëve duke i thënë edhe bashkëshortes të largohet nga vetura. Në çastin që jemi larguar disa metra, kam dëgjuar një krismë por pa e parë se çfarë ndodhi”, thotë ai.
Por nëse Naim Murseli e kuptoi që në atë çaste se personi me armë në dorë që fshihej pas maskës, ishte Granit Plava, përse nuk u përpoq ta parandalonte këtë ngjarje? Por vendosi t’ia mbathë me fëmijët dhe ta lërë Liridonën në makinë, aty ku edhe u qëllua me një plumb të vetëm në qafë nga Granit Plava. Por, ajo që rrëzon të gjitha shfajësimet e Naim Murselit, se ai nuk dinte asgjë mbi planin kriminal të Granit Plavës, është dëshmia e Kushtrim Kokallës.
Kushëririt të parë të Naimit, edhe ky i arrestuar si një nga bashkëpunëtorët e tij në krim. Kokalla, efektiv në Forcat e Sigurisë së Kosovës, i cili tha për grupin hetues se Naim Murseli ishte në përgatitje prej gati një viti për vrasjen e bashkëshortes, ku i kishte kërkuar atij vetë që ta kryente këtë punë, madje duke i ofruar edhe para në këmbim, por Kokalla thotë se nuk kishte pranuar.
“Prej gati një viti, Naimi më ka lutur që të kryej vrasjen e bashkëshortes. Unë i kam thënë që mos ta dëgjoj më këtë gjë”, tha ai.
Por ndryshe nga çfarë pritej, Kushtrim Kokalla, është shprehur se është ai pika lidhëse e Naim Murselit me Granit Plavën, por ka mohuar që të ketë dorë në vrasjen e bashkëshortes së kushëririt. Vetë Granit Plava ka pohuar se Naim Murseli, i ka premtuar 30 mijë euro për të vrarë Liridonën. Madje i kishte thënë që të përdorte një kallashnikov për të mbaruar punë, por që nuk ishte pranuar nga Graniti. Por sipas Granit Plavës, biseda për vrasjen e Liridonës midis tij dhe Naim Murselit, nuk ka ndodhur ditën kur u krye ekzekutimi, por një javë më herët, në një pikë të furnizimit me karburant në Gremnik të Klinës, ku sipas tij në tavolinë me ta ndodhej edhe Kushtrim Kokalla.
“Gjatë bisedës, në prezencë të të treve, Naimi më ka thënë se do t’i marrësh 30 000 euro pasi ta vrasim këtë grua. Gjatë kësaj bisede u përmend edhe kallashnikovi, por unë nuk pranova. Pak para se të largohem Naimi më dha 400 euro, dhe Kushtrimi një shumë tjetër dhe kështu u morëm vesh që të bëhet kjo punë. Po ashtu, Naimi na ka thënë se ‘do shkojë në Shqipëri dhe kjo punë është mirë të kryhet sa kohë ai është atje’, thotë ai. Ditën e ngjarjes, Granit Plava, thotë se Naim Murseli e ka marrë në telefon dhe i ka kërkuar që të mbyllë punën e nisur, pra vrasjen e Liridonës.
“Ditën e vrasjes, Naimi më ka thirrur në Whatsapp dhe më ka thënë se sot duhet të kryhet kjo punë, duke më thënë që ti e di se ‘nëse ndodh diçka, unë do të të nxjerr’, thotë ai.
Me interes për grupin hetues është edhe dëshmia e Aurel Pajazitit, personi i cili i ka lëshuar me qira makinën që Granit Plava, përdori për t’u dalë në pritë dhe për të ekzekutuar Liridona Ademaj, mbrëmjen e 29 Nëntorit.