Me një surprizë të pakëndshme, është përballur një grua me dy fëmijët e saj në portin e Athinës. Gruas i është ndaluar hyrja në anije pasi nuk kishte me vete dokumente për të vërtetuar se fëmijët janë të saj.
Punonjës sigurie, edhe pse udhëtimi ishte lokal, pra brenda vendit, kërkuan ose pasaporta ose të dhëna shëndetësore. Nëna dhe fëmijët e saj 8 dhe 5 vjeç, nga Kreta, kishin ardhur në Athinë për të marrë pjesë në një varrim.
Megjithatë, të hënën mbrëma kur ishin planifikuar të merrnin anijen e kthimit, ata nuk arritën të hipnin. Arsyeja e ndalimit ishte se çertifikata e gjendjes familjare që nëna kishte me vete nuk njihej nga autoritetet portuale si dokument që vërtetonte se fëmijët ishin të saj. Ndaj ata kërkuan ose pasaporta ose kartela shëndetësore.
Më pas gruaja filloi të ankohej për kërkesat e rojeve dhe u pohoi se një ditë më parë kur po udhëtonte për në Athinë, nuk i ishte kërkuar asgjë e ngjashme nga porti i Heraklionit.
Megjithatë as ajo dhe as fëmijët nuk hipën dot në traget.