Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, në kuadër të nismës për rritjen e transparencës mbi çmimet e produkteve.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te përpjekjet për të rritur transparencën në treg dhe te bashkëpunimi mes qeverisë dhe rrjeteve të supermarketeve.
Kryeministri tha se pas një takimi të parë, ku sipas tij u prezantuan rezultatet e një studimi mbi çmimet, reagimi i aktorëve të tregut nuk ka qenë i njëjtë.
Ai iu drejtua përfaqësuesve të supermarketeve duke deklaruar se niveli i fitimeve duhet parë në raport me përgjegjësinë ndaj konsumatorëve dhe shoqërisë.
“Do ta nis aty ku e la ministrja. Nuk jemi të parët që bëjmë një përpjekje në këtë drejtim dhe eksperiencat tregojnë që supermarketet kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me qeverinë përkatëse në situata të caktuara. U bë një takim i parë ku mora informacion nga ministrja ku gjithçka u duk sipas rezultatit të studimit tonë. Më pas vetëm një aktor këtu u përgjigj të tjetër u zhdukën. Ju jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë se çfarë e mban zakoni i mirë në një bashkësi e jona që nuk është as Kina dhe Amerika, ku ky kapitalizmi ka nisur të bëhet shqetësues për të gjithë. Unë dua të them që ju të konfirmoni rrjetin tuaj të shitjes për të marrë pjesë në një fazë të parë të projektit pilot.”, tha ai.
