Xhakomo Vrioni është emri që mund të bashkohet me klubin e Juventusit në këtë merkato janari. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për ekipin e parë, por për skuadrën e U 23 të bardhezinjve. Një transferim i cili mbart shumë prestigj për emrin e klubit që bëhet fjalë, ndërsa nëse rezultatet nga ana e sulmuesit janë pozitive, atëherë e ardhmja mund t’i dhurojë edhe më shumë.
Aktualisht, 21-vjeçari është pjesë e Çitadelës në Serinë B, teksa kartoni i tij zotërohet nga Sampdoria. Ndaj klubi torinez tratativat është duke i kryer me dorianët, ndërsa Çitadela është tërhequr teksa në ndeshjen e fundit nuk e përfshiu Vrionin në listën e lojtarëve të grumbulluar duke pritur zgjidhjen e situatës.
Së fundmi, ka folur edhe menaxheri i sulmuesit shqiptar, Silvio Paljari, i cili është shprehur se në ditët në vazhdim mund të ketë diçka konkrete. “Për momentin është ndaluar çdo gjë, por nuk përjashtohet që situata të zgjidhet në ditët në vazhdim”, tha agjenti i Vrionit.