Një ngjarje e rëndë u bë publike mbrëmjen e djeshme në Prishtinë. Mediat raportuan se njerku ka dhunuar djalin e gruas me të cilën jetonte.
Gruaja me inicialet L.T ka deklaruar dje në Polici se rreth orës 14:00, kur ishte në shtëpinë e saj, bashkë me djalin 3 -vjeçar dhe bashkëshortin e saj të dytë, shtetasin me inicialet D.Q 50 vjeçar nga Shqipëria, ky i fundit ka tentuar të ushtrojë dhunë mbi fëmijën.
Ajo ka thënë se fillimisht burri i saj kishte marrë një tenxhere me ujë të nxehtë dhe kishte dashur që t’ia hidhte djalit të vogël, por ajo fatmirësisht kishte arritur t’ia largojë nga duart. Më pas, 50-vjeçari ka marrë thikën e kuzhinës dhe ka tentuar t’i presë fytin djalit 3 vjeçar. Nëna e tij, ka ndërhyrë dhe ka arritur t’ia marrë thikën burrit të saj.
Siç raportojnë mediet atje, ngjarja ka ndodhur në lagjen “Kalaja e Prizrenit” në Prishtinë. I dyshuari pas sherrit në shtëpi, i ka marrë gruas 350 euro nga çanta dhe është larguar në drejtim të panjohur.
Rasti është referuar në Prokurori dhe organi i akuzës ka kërkuar që të inicohet rasti për “Dhunë në Familje, neni 248”, dhe të bëhet përpjekje që të sigurohet personi i dyshuar (shtetas i Shqipërisë) dhe më pas të njoftohet sërish për veprime të mëtejshme hetimore.
