Kryetari i bashkisë në Nju Jork u detyrua të pranonte se nuk kanë më vend për emigrantët e derguar me autobusë në qytet, ndaj po mendojnë tani të ngrenë disa tenda të mëdha me përmasa hangarësh për t`i strehuar.
Tendat janë disa nga opsionet e parashtruara që përfshijnë nga anijet kruaziera e deri tek kampet verore. 13 mijë emigrantët e dërguar nga qytetet kufitare të Teksasit dhe Arizonas duket po sfidojnë kapacitetet e qytetit, duke i vendosur zyrtarët e tij në vështirësi.
“Kjo nuk është një krizë strehimi e zakonshme, por një krizë humanitare që kërkon një përqasje tjetër. Sistemi masiv i qendrave të strehimit është mbingarkuar me akomodimin e prurjeve të papritura të emigrantëve që kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara.”
Adams sqaroi se qyteti i Nju Jorkut ka hapur 23 qendra emergjence dhe po shqyrton hapjen e 38 të tjerave, për të strehuar njerëzit e sjellë atje që nga muaji maj.