Ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Rama sot në Përrenjas.
Gjatë një takimi me qytetarët, kreu i qeverisë tha se pas 30 qershorit, kryebashkiakja aktuale, Miranda Rira, që përfaqëson LSI-në, duhet të merret me beben e sapolindur, sepse do të ketë kohë të lirë plot.
Malaj shprehet se me këtë koment, kryeministri ka fyer çdo grua e vajzë.
“Për ty ekziston vetëm një fjalë, kolltuku yt. Sot me fjalët që the, ti nuk fyeve Mirandën, po ti fyeve çdo grua e vajzë, çdo nënë e gjyshe, hodhe poshtë të gjitha ato ligje që me aq mund e djersë, ditë e netë pa gjumë, i kemi bërë për të ndërtuar një shoqëri me vlera, duke i dhënë vlerësimin e merituar gruas, e duke e larguar sa më shumë nga gjuha sekiste.
Po ti je ti, sado që të hiqesh sikur je ndryshe, pasi koncepti yt për gruan është koncepi i kurtizaneve. Sot bëre faj të madh!”, shkruan ajo.
Malaj thotë se mëmësia nuk mund të përdoret si ndëshkim.
“Mëmësia është shenjtëri dhe jo punë detyruese që jepet për ndëshkim, o ti njeriu pa mend! Mëmësia është motivi kryesor i jetës, për t’u dhënë fëmijëve tanë një jetë të sigurt dhe të qetë! Kujdes, me karrierën e grave dhe vajzave të Shqipërisë!
Ato nuk janë kurtizanet e tua, po janë vlera e kombit dhe të familjes shqiptare! Mos i prek gratë dhe qumështin e gjirit të tyre, se gruaja që tund djepin, përmbysur ka dhe shtetin!
Gratë dhe vajzat e ketij vendi, janë heroinat që me mish dhe shpirt, mundohen që ta bëjnë kete vend të jetueshëm!
Sot përfundimisht tregova që tashmë je në buzë të greminës, fole si diktator, derisa u more me bebet e pafajshme e nënat lehonë! Zoti pastë mëshirë për ty dhe fundin tënd!”, shkruan Malaj.
Fjala “kurtizane” është përdorur në kuptimin e një prostitute të një rangu të lartë.
Me këtë term është quajtur e dashura e një ose disa njerëzve me rëndësi në shoqëri dhe të pasur që paguajnë për t’i siguruar kurtizanes të gjitha nevojat e jetës.
Kjo fjalë u shfaq gjatë Rilindjes dhe u përdor deri në shekullin XIX.