Ditën e djeshme, drejtori i ri për Europën Perëndimore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik zbarkoi në Tiranë.
Gjatë takimeve me krerë të lartë të shtetit dhe figura drejtuese të opozitës, ra në sy fakti që zyrtari i lartë amerikan nuk u prit në një takim nga presidenti Ilir Meta.
Disa prej mediave e pasqyruan lajmin duke e interpretuar se presidenti Meta ishte futur në listën e zezë të SHBA-ve dhe pikërisht për këtë arsye ishte “injoruar” nga zyrtari i lartë.
Kjo për shkak të gjuhës së ashpër që Meta ka përdorur së fundi ndaj ndërkombëtarëve dhe reformës në drejtësi, duke i siguruar kështu vetes “spostimin” prej tyre.
Pas aludimeve të shumta në mediat online, një reagim ka ardhur nga zëdhënësi i presidentit, Tedi Blushi.
Në reagimin e tij, Blushi nënkupton se Rama ka shpërndarë lajmin e Metës në portalet pranë tij për të hequr vëmendjen nga raporti i OSBE-së.
“Të gjitha portalet që punojnë në të zezë paskan futur Presidentin në listën e zezë. Tani pritet që gruaja e Bilalit t’u japë dhe lajmin e heqjes së vizës. Ha ha ha! Fajin e ka ODIHR që nuk punon në të zezë por e ka gdhendur me të zeza në të bardhë,”-shkruan Blushi.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Meta do të zbusë tonet ndaj ndërkombëtarëve apo nëse pas raportit do të jetë gjithnjë e më kritik ndaj tyre.
