Kryeministri indian, Narendra Mod ka kundërshtuar pushtimin rus në Ukrainë, duke i thënë Presidentit rus Vladimir Putin se tani nuk është koha për luftë.
Duke folur në një takim në Uzbekistan, kryeministri indian kritikoi luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Modi shtoi se rruga e vetme është paqja.
Gjatë takimit kryeministri indian u shpreh se demokracia, diplomacia dhe dialogu janë ato elementë që ia bëjnë të qartë njerëzimit se cila është rruga që duhet ndjekur për të arritur paqen.
New Delhi kishte refuzuar të fajësonte publikisht Moskën për krizën, duke theksuar gjithashtu respektin tradicional të Indisë për sovranitetin dhe integritetin territorial. Narendra Modi abstenoi në votat e OKB-së që dënojnë pushtimin e Rusisë. Por takimi i tij i fundit me Vladimir Putin duket se tregon se India po distancohet nga Rusia.