Skënderbeu në dhjetë ditët e ardhshme nuk ka ndeshje zyrtare në program, pas përjashtimit të Kamzës.

Sipas “Panorama Sport” edhe pse sportistëve u është thënë se përgatitjet do të nisin të martën, agjenda ka ndryshuar. Ky është “dënimi” i dhënë nga ana e stafit teknik për ekipin pas asaj paraqitjeje të shëmtuar në Gjirokastër. Pushimet dyditore janë anuluar, ndaj dje që të gjithë startuan nga puna për javën anti-Partizan.

Në mbledhje të pranishëm kanë qenë të gjithë lojtarët që luajtën në fundjavë, ndërsa seanca nisi me një analizë nga ana e stafit teknik. Në diskutimin e zgjatur gati 20 minuta, Orges Shehi është shprehur tejet i pakënaqur nga reagimi i ekipit, pavarësisht se në seancat stërvitore kanë treguar shumë. Trajneri ka qenë tepër i revoltuar sidomos pas “shfryrjes” që i ka bërë presidenti Ardjan Takaj një ditë më parë në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport”.

Nga sa mësohet, durrsaku nuk i ka kursyer kritikat për të tijtë, duke u treguar edhe një herë se lojtarëve që shfaqin indiferentizëm në ekip do t’u tregohet stoli për ndeshjet e ardhshme. Një paralajmërim i pastër ky. Nga ana tjetër, Shehi ka përsëritur edhe një herë se ky grup duhet të arrijë objektivat minimale për sezonin, që është renditja në vendet që të çojnë në Europë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here