Kryeministri Edi Rama, në Konferencën Kombëtare për Arsimin dhe Formimin Profesional, tha se vendi ynë nuk ka mungesë njerëzish por mungesë të kualifikimit. Ai thotë se duhet punuar së bashku me sipërmarrjen për të siguruar kushte dhe paga sa më dinjitoze për të mbajtur fuqinë punëtore në vend.
“Arsimi profesional dhe nevoja për krahë të kualifikuar pune e ka bërë 2024 dhe patjetër ka shenjuar këtë dekadë si dekadën e një lufte, e cila ka nisur dhe intensiteti i së cilës po rritet progresivisht në Evropë. Është një luftë për të përballuar pasojat e rënies dramatike demografike të Evropës, e cila na vë ne dhe vendet si ne në Evropë përballë një sfide të dyfishtë. Nga njëra anë, rritjes së aftësive profesionale të të rinjve tanë për t’u përgjigjur nevojave të një tregu pune kërkues për krahë të kualifikuar dhe nga ana tjetër, përballimi i presionit gjithmonë e më të fortë të vendeve të mëdha dhe të pasura për ta thithur këtë krah të kualifikuar pune. Dhe sot kushtet për të pasur një debat të hapur për arsimin profesional dhe krijuar një sens të përbashkët të vlerësimit të domosdoshmërisë së mbështetjes së kualifikimit të mëtejshëm profesional të më të rinjve, janë shumë më të favorshme për faktin se sipërmarrja ka filluar ta ndjejë lagështirën dhe ta shohë me sytë e vet në të përditshmen e saj kundërshtinë e mprehtë midis ambicies, nevojës dhe mundësive të saj për t’u rritur dhe nga ana tjetër, mungesës gjithmonë e më alarmante të kapaciteteve njerëzore. Fatmirësisht kjo ka filluar të reflektohet në mënyrë të ndjeshme në rritjen e pagave që është A. pa të cilën i gjithë alfabeti është i mangët dhe në formësimin e një vetëdijeje që kapitali njerëzor i një ndërmarrjeje nuk është i fundit siç është trajtuar nga sipërmarrja për vite por i pari.
Dhe një ndarje më e drejtë e fitimit me vetë punonjësit nuk është çështje zemërgjerësie por domosdoshmërie dhe në këto kushte është mundësia për të ndërtuar një dialog të strukturuar me sipërmarrjen, me biznesin e madh. për nevojën e kontributit të drejtpërdrejtë të kompanive në rritjen e kapaciteteve të shtetit për të formuar të rinjtë me zanatet dhe aftësitë e nevojshme për tregun, që tregu të mos krijojë vende të lira pune, të cilat mbeten bosh jo më për shkak të kapaciteteve paguese të sipërmarrjes por për shkak të mungesës së aftësive për punë të caktuara. Sot, jemi përpara një fakti kokëfortë në industrinë e turizmit, industri e re në Shqipëri në kuptimin e krijimit të një ekosistemi që po rrit me shpejtësi ambicien, dëshirën dhe mundësitë e investimeve për t’ju përgjigjur një kërkese marramendëse që vjen nga krijimi i Shqipërisë në sytë e botës si një destinacion turistik për t’u vizituar dhe të gjitha komplekset apo strukturat hoteliere të një niveli të caktuar, kanë jo vetëm paga të pakrahasueshme me 3 apo 4 vite më parë por edhe paguajnë më shumë për të plotësuar nevojat e tyre sipas roleve që duhet të ketë një sipërmarrje e kësaj natyre. Problemin e kanë te kapitali njerëzor. Kjo shkon ende në kundërshti, për fat të mirë në këtë rast, me faktin që ne nuk kemi hë për hë mungesë njerëzish, por kemi mungesë kualifikimi të njerëzve. Nuk kemi mungesë të rinjsh që mund të përfshihen dhe të kenë një rrugë të sigurtë, me një punë të mirëpaguar në këtë industri por mungesë të rinjsh që mund ta zënë një vend duke i zotëruar aftësitë për të cilat ai vend ka nevojë. Këtu nis nevoja për një strukturë të re të marrëdhënies mes industrisë dhe aktorëve në sektorin publik, që nga qeveria, në nivelin qendror te bashkitë dhe nivelin vendor tek shkollat profesionale. Dhe është koha për ne që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim të pashmangshëm mbi nevojën e bashkërendimit të forcave dhe investimit të përbashkët me kushte të qarta, përfitim reciprok që të punësojmë me paga dinjitoze sa më shumë forca pune dhe për sipërmarrjen që të ketë në dispozicion forca pune që i paguan në mënyrë dinjitoze por merr mbrapsht performancën dinjitoze”. tha Rama.
