Ardian Çapja i cili i plagos të hënën në Elbasan ka mohuar që ndaj tij është bërë një atentat. Në një deklarim fillestar të marrë nga oficerët ndaj tij dhe familjarëve ata i kanë qëndruar version se nuk e ka qëlluar njeri me armë.
55-vjeçari vazhdon të qëndrojë në spital në gjendje jo të mirë shëndetësore. Megjithatë, grupi hetimor ka mundur të mbledhë disa prova siç është snajperi që u përdor nga autorët, makina e djegur e tyre, por edhe disa filmime të kamerave të sigurisë ku duken 3 persona të maskuar.
Gjithashtu në komisariatin e Elbasanit janë shoqëruar dhjetëra persona të cilët kanë dhënë dëshminë e tyre si persona që mund të kenë dijeni. Por nga këto deklarime nuk është mundur të hidhet dritë mbi autorët apo porositësit e atentatit.
Policia e shtetit ende nuk ka një version zyrtar për motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila është në vazhdën e disa atentateve me viktima të ndodhura në Elbasan gjatë 4 viteve të fundit.
Për hetuesit ngjarja e fundit vjen si rezultat i konflikteve që fisi Çapja ka me persona të tjerë në qytetin e Elbasanit. Në 2016, tre pjesëtarët të familjes Çapja u vranë dhe disa të tjerë u plagosën.
Autorët e kësaj ngjarjeje, edhe pse ka kaluar kaq kohë, nuk dihen, për të mos folur më pas për motivet të cilat policia nuk ka mundur t’i zbulojë.
