Ish prokurorja Rovena Gashi kërkon rikthimin në detyrë. Ajo dhe bashkëshorti i saj Dritan Gina u përplasën me kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku në kohën kur kjo e fundit mori detyrën.
Këtë të enjte Gashi ka dalë para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe mbrojtjen ka vendosur t’ia besojë të motrës, Alma Gashi.
“Nuk jemi njoftuar që do ishte ky vëzhguesi ndërkombëtar i ONM (Theo Xhacobs) që do merrte sot pjesë në këtë seancë”, tha avokatja Alma Gashi.
Por tre anëtaret e KPA-së i kujtuan zonjës Gashi se pritet të ketë një vendim nëse do pranohet apo jo si ndihmëse e së motrës, Rovenës (subjekt i rivlerësimit).
Sakaq, trupi gjykues vendosi të mos pranojë mbrojtjen ligjore të së motrës.
Rovena Gashi është pezulluar për shkak të një procesi penal, është e para që çel një betejë me Komisionin e Vettingut, ku në seancën dëgjimore e konsideroi të paragjykuar vendimin. Por një tjetër betejë ligjore Gashi është duke zhvilluar në Strasburg me shtetin shqiptar, për procedurat se si u pezullua nga detyra.
Ajo njihet si ish krahu i djathtë i Adriatik Lallës. Karrierën në Prokurori e ka nisur në vitin 2004, ku ka punuar si prokurore në Tiranë nga viti 2004 deri në vitin 2013, kur u emërua në krye të Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme.
Gashi e mbajti këtë detyrë deri në fund të dhjetorit 2017, kur kryeprokurorja e re Arta Marku e uli në detyrë. Ndërsa në maj 2018, Prokuroria regjistroi procedimin penal ndaj saj dhe bashkëshortit Dritan Gina, të cilët po hetohen për pasurinë e tyre, ndërkohë që Marku i pezulloi të dy nga detyra.
Gashi u bë pjesë e listës prioritare të vetingut përpara telasheve me pasurinë, për shkak të kandidimit të saj për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe për Gjykatën e Lartë.
