Sipas një studimi të ri të publikuar këtë të mërkurë, 11 shkurt, në revistën shkencore The Lancet Global Health, pothuajse gjysma e njerëzve në botë që përballen me verbëri të shkaktuar nga katarakti ende nuk kanë akses në kirurgjinë e nevojshme.
Katarakti, i cili shkakton mjegullim të thjerrëzës së syrit dhe sjell turbullim të shikimit që mund të çojë deri në verbëri, prek më shumë se 94 milionë persona në nivel global. Kirurgjia e kataraktit konsiderohet një ndër procedurat mjekësore më efikase, zgjat rreth 15 minuta dhe mundëson rikthim të menjëhershëm dhe afatgjatë të shikimit.
Sipas OBSH-së, gjatë dy dekadave të fundit mbulimi global i kirurgjisë së kataraktit është rritur me rreth 15%. Megjithatë, plakja e popullsisë dhe rritja e rasteve me këtë sëmundje kanë shtuar ndjeshëm kërkesën për trajtim.
Parashikimet tregojnë se gjatë kësaj dekade mbulimi i kirurgjisë mund të rritet me rreth 8.4%, por ky progres konsiderohet i pamjaftueshëm për të arritur objektivin e Asamblesë Botërore të Shëndetësisë për një rritje prej 30% deri në vitin 2030.
“Kirurgjia e kataraktit është një nga mjetet më të fuqishme për të rikthyer shikimin dhe për të transformuar jetët e njerëzve. Kur njerëzit rifitojnë shikimin, ata rifitojnë pavarësinë, dinjitetin dhe mundësitë”,deklaroi Devora Kestel, drejtuese në detyrë e Departamentit të Sëmundjeve Jo të Transmetueshme dhe Shëndetit Mendor në OBSH.
Hendek i madh në akses, veçanërisht në Afrikë dhe tek gratë
Studimi, i cili analizoi të dhëna nga 68 vende për vitet 2023 dhe 2024, tregon se rajoni Afrikan përballet me mungesën më të madhe të trajtimit. Sipas raportit, tre nga katër persona që kanë nevojë për kirurgji të kataraktit në këtë rajon mbeten pa trajtim.
Gjithashtu, studimi evidenton se gratë janë të prekura në mënyrë disproporcionale në të gjitha rajonet, duke pasur akses më të kufizuar në shërbimet mjekësore krahasuar me burrat.
Ekspertët theksojnë se këto diferenca lidhen me pengesa strukturore të vazhdueshme, si mungesa dhe shpërndarja e pabarabartë e specialistëve të kujdesit për sytë, kostot e larta që pacientët duhet të paguajnë vetë, listat e gjata të pritjes si dhe mungesa e ndërgjegjësimit për ndërhyrjen kirurgjikale, edhe në vendet ku shërbimet ekzistojnë.
Mosha mbetet faktori kryesor i rrezikut për zhvillimin e kataraktit, por edhe faktorë të tjerë mund ta përshpejtojnë shfaqjen e tij. Këta përfshijnë ekspozimin e zgjatur ndaj rrezeve UV-B, përdorimin e duhanit, përdorimin e kortikosteroideve dhe diabetin.
Zgjidhjet për reduktimin e verbërisë së shmangshme
Sipas OBSH-së, eliminimi i verbërisë së panevojshme nga katarakti është një objektiv i arritshëm nëse shtetet ndërmarrin masa konkrete.
Organizata rekomandon integrimin e kontrolleve të shikimit në kujdesin shëndetësor parësor, investimin në infrastrukturën kirurgjikale dhe zgjerimin e numrit të specialistëve, veçanërisht në zonat rurale.
Po ashtu, OBSH nënvizon rëndësinë e programeve të synuara për gratë dhe komunitetet e margjinalizuara, me qëllim reduktimin e pabarazive në akses ndaj shërbimeve shëndetësore.
Organizata u bën thirrje qeverive, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë që të intensifikojnë bashkëpunimin për të garantuar akses universal në kirurgjinë e kataraktit dhe për të reduktuar verbërinë e shmangshme në nivel global.
