Heqja shumë herët e masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit mund të shkaktojë një “ringjallje vdekjeprurëse” të infeksionit, ka paralajmëruar shefi i OBSH-së, dr. Tedros.
Ai tha se vendet duhet të tregohen të kujdesshme në drejtim të lehtësimit të kufizimeve dhe pse disa po luftojnë me ndikimin në ekonomi.
Vendet më të goditura në Europë, Spanja dhe Italia, janë duke lehtësuar disa masa ndërsa izolimi vijon.
Në gjithë botën janë rret 1.6 milionë raste me koronavirus dhe mbi 101.000 të vdekur. Duke folur në një konferencë virtuale në Gjenevë, dr. Tedros tha se në vendet evropiane kishte “një ngadalësim të mirëpritur të epidemisë.
Ai tha se OBSH po punon me qeveritë për të hartuar një strategji të lehtësimit të masave, por kjo nuk duhet të bëhet shumë shpejt.
“Heqja shumë shpejt e kufizimeve mund të çojë në një ringjallje vdekjeprurëse. Kurba zbritëse mund të jetë po aq e rrezikshme sa kurba ngjitëse nëse nuk menaxhohet siç duhet”, tha dr. Tedros.
