Angelo Ndrecka shkroi historinë në futbollin italian kur dy vite më parë u bë futbollisti i parë i datëlindjes 2001 që luante në Serinë A. Djaloshi shqiptar veshi fanellën e Kievos në elitën e futbollit italian, duke u aktivizuar në një ndeshje, para se të largohej në verë drejt Lacios.
Por tashmë mbrojtësi i majtë mund t’i japë lamtumirën edhe skuadrës kryeqytetase, edhe pse ka kontratë me të deri në vitin 2022. Sipas mediave italiane, për Ndreckën kanë filluar të bien kambanat e Premier Ligës.
“Laciopress” bën të ditur se në adresë të tij ka mbërritur një ofertë nga një klub i rëndësishëm në Premier Ligë dhe mbrojtësi i majtë po mendon seriozisht largimin gjatë verës drejt këtij destinacioni. Kampionati anglez është aktualisht ndër më të vlerësuarit dhe për Ndreckën do të ishte një mundësi e mirë që të tregonte talentin e tij. Për më tepër, ai plotësin të gjithë kushtet që duhen tashmë për t’u transferuar në një nga skuadrat britanike, pasi ka luajtur rregullisht me kombëtaret e moshave të Shqipërisë dhe ka eksperiencën e duhur në akademitë e njohura.
Kështu, në verë mendohet se ai do t’i japë lamtumirën Italisë për t’u zhvendosur në Angli, e për të nisur atje një aventurë të re në karrierën e tij.
