Epidemiologu, Ilir Alimehmeti është ndalur tek përhapja e Omicron dhe rreziku i tij ndaj fëmijëve.
Alimehmeti shpjegon se pavarësisht se Omicron ka një përhapje të lartë, ai nuk është më i rëndë sa Delta.
Në njëfarë mënyrë epidemiologu hedh poshtë mitit se fëmijët janë ata që e vuajnë më shumë variantin e ri.
Analiza:
“Nëse duhet të ketë shqetësime, ato m’i lini mua, në mënyrë që fëmija im të ketë paqe.”
Cit.: Thomas Paine
Miti që qarkullon aktualisht është se: “fëmijët e vuajnë më shumë variantin Omicron”!
Fakti është se: “SARS-CoV-2 gjithnjë i ka prekur shumë më lehtë fëmijët dhe Omicron është shumë më i lehtë se Delta”
Studiuesit e Universitetit Case Ëestern Reserve (SHBA) studiuan në detaj:
7.198 fëmijë 0-5 vjeç të infektuar për herë të parë në periudhën kur >92% e rasteve ishin Omicron dhe
7.198 fëmijë 0-5 vjeç të infektuar për herë të parë në periudhën kur të gjitha rastet ishin Delta.
Në studim nuk luajti rol imuniteti preekzistues, sepse:
fëmijët 0-5 vjeç, siç e dini, janë të gjithë të pavaksinuar dhe
në studim u morrën vetëm fëmijët e infektuar për herë të parë.
Në studim për shkak të metodologjisë çiftuese, fëmijët janë të njëjtë për sa i përket:
moshës
gjinisë
nivelit socio-ekonomik
sëmundjeve bashkëshoqëruese dhe
mjekimeve të marra prej tyre.
Rezultatet janë të qarta në favor të ecurisë klinike më të lehtë të Omicron kundrejt Deltës!
Shtrimet në spital:
1.0% e fëmijëve me Omicron;
3.1% e fëmijëve me Delta;
67% më pak risk për t’u shtruar në spital gjatë valës Omicron.
Shtrimet në terapi intensive:
0.14% e fëmijëve me Omicron;
0.43% e fëmijëve me Delta;
68% më pak risk për t’u shtruar në terapi intensive gjatë valës Omicron.
Ventilimi mekanik:
0.33% e fëmijëve me Omicron;
1.15% e fëmijëve me Delta;
71% më pak risk për të pasur nevojë për ventilim mekanik gjatë valës Omicron.
Autorët dalin në përfundimin:
- Të marra së bashku, këto rezultate tregojnë se varianti Omicron është qenësisht më i lehtë se sa varianti Delta për fëmijët 0-5 vjeç.
Dr. Shk. Ilir Alimehmeti
Epidemiolog Klinik
Fakulteti i Mjekësisë, UMT
Akademia e Shkencave të Shqipërisë
