Nga Arben Isaraj/
Pasi Partia Socialiste, si forca politike fitimtare e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017-tës, paraqiti për miratim si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme kandidaturën e Kryeministrit, opozita “konstitucionaliste” nxitoi ta kundërshtonte këtë propozim si antikushtetues.
Ajo po interpreton vice versa, për interestin e vet politik, pikën 2, të nenit 103 të Kushtetutës ku sanksionohet se :
“Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”.
Sikur aty të ishte pohuar se :
“Kryeministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”.
E paparë dhe e padëgjuar deri më sot kjo “teoria e re” konstitucionaliste, se Kryetari i Këshillit të Ministrave (Kryeministri) nuk bëhet dot anëtar i Këshillit të Ministrave (ministër), sepse ministri (anëtari) nuk bëhet dot Kryeministër (Kryetari).
Domethënë, këta një ditë dhe mund të thonë, se edhe Kryefamiljari, ai që ka në ngarkim pjesëtarët e një familjeje e që kujdeset për ta, nuk bëhet dot anëtar i familjes, sepse anëtari i familjes nuk bëhet dot Kryefamiljar.
O tempora o mores !
Krijimi i Shtetit, si një sistem i pavarur politik, legjislativ e administrativ, dhe i Ligjit si një sistem rregullash dhe normash shoqërore që njerëzit duhet të ndjekin në një shoqëri, është rezultat i një procesi të gjatë historik dhe sociologjik, nga shoqëria primitive e deri sot.
Ky proces i gjatë historik dhe sociologjik, tregoi se shoqëria pas primitive, e etur për rregull dhe jo anarki, filloi ti shkruante ligjet, urdhërat, udhëzimet, rregulloret e shtetit në pllaka guri, tulle, druri etj.
Për të shmangur shqetësimin e krijuar nga “malet” me gurë, tullë dhe drurë, dijetarët si të mençurit mes njerëzisë, shpikën De Facto-n dhe De Jure-n.
“De Facto” në gjuhën e pakorruptuar latine do të thotë “në fakt” apo “praktikisht”, por që nuk shqiptohet nga ligji.
Një standard kushtetues “De Facto” është një standard që pranohet përgjithësisht, por nuk formalizohet “De Jure” në Kushtetutë.
Pasi jo çdo gjë e pranuar përgjithësisht pra dhe parimisht, duhet shkruar në Kushtetutë e ligje.
Në të gjitha sistemet politike perëndimore, Qeveria (Këshilli i Ministrave) është një organ kolegjial, pavarësisht nga :
• sistemi presidencial, gjysëm presidencial a parlamentar;
• mënyra e formimit të qeverisë, nga një parti apo koalicion partish,
• lloji i qeverisë politike apo teknike, me mandat të plotë apo të kufizuar.
Në përgjithësi, Kryeministri edhe sipas Kushtetutës shqiptare, luan në të njëjtën kohë një rol të dyfishtë.
Ai është anëtar dhe kryetar i organit kolegjial, të quajtur Këshilli i Ministrave, që vendos për programin politik, strukturën dhe organigramën e Qeverisë, por ai është dhe një organ monokratik, që drejton e koordinon veprimtarinë e ministrave duke siguruar unitetin e drejtimit politik të qeverisë. Për këtë arsye, në rolin e kryeministrit janë të dallueshme të dy dimensionet: ai “kolegjial” dhe ai “vertikal”.
Çdo dispozitë e Kushtetutës duhet të interpretohet në mënyrë të tillë që të jetë e pajtueshme me parimet themelore kushtetuese. Kjo për arsye se, siç pranohet në doktrinën dhe jurisprudencën kushtetuese, çdo dispozitë kushtetuese është në një lidhje të caktuar me dispozitat e tjera, dhe së bashku, ato formojnë një entitet.
Për pasojë, asnjë dispozitë e Kushtetutës nuk mund të nxirret jashtë kontekstit të saj dhe të interpretohet më vete.
Prandaj opozita konstitucionaliste, mos të lodhet më kot të kërkojë edhe në Kushtetutat e demokracive parlamentare perëndimore që të shkruhet se “Kryeministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”.
Asgjë nuk e pengon, Kryetarin e Këshillit të Ministrave (Kryeministrin), të votuar si i tillë nga populli dhe i propozuar nga Parlamenti, të jetë edhe Ministër, si anëtar i Këshillit të Ministrave.
Sa për pozicionin kushtetues dhe jo qeverisës të Presidentit të Republikës, në emërimin e Kryeministrit dhe të ministrave, duhet thënë se :
Kjo kompetencë kushtetuese e Presidentit, në ushtrimin e saj nuk ka hapësirë të gjerë veprimi, aq sa për të hedhur poshtë kandidaturat e paraqitura nga forca politike fitimtare e dalë nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017-tës.
Vlerësimin dhe gjykimin për to e bën në fund të fundit Kuvendi, si organ ligjvënës i ngarkuar për të kontrolluar Qeverinë në një Republikë parlamentare.
Shënim “konstitucionalist” :
Do zoti, nuk vjen rradha që opozita konstitucionaliste ta lexoj. kuptoj e interpretoj thatë e jo përgjithësisht pikën 1, neni 75 i Kushtetutës, e cila sanksionon se :
“Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet”.
Sipas frymës “De Jure” të interpretimit të opozitës konstitucionaliste, pika 1, e nenit 75 të Kushtetutës duhet të ishte :
“Kuvendi nga rradhët e deputetëve, zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet”.
Mungesa “De Jure“ e togëfjalëshit konstitucionalist “ nga rradhët e deputetëve“ në këtë rast, bën të mundur, që si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nesër të zgjidhet cilido që nuk është deputet, por është thjesht opozitar dhe “konstitucionalist”.