Nga Mero Baze
Mitingu i fundit i Sali Berishës për ti bërë Gjykatës së Tiranës presion përmes protestave të dhunshme për vulën, tani nuk është më një kontribut për mos përçarjen e opozitës, por një përpjekje për të rrëmbyer ç’të mundesh prej saj.
Pas më shumë se një viti e gjysmë betejë brenda opozitës përçarja e Partisë Demokratike ka hyrë në normalitet. Tani brenda PD ka më shumë se dy palë, por ka vetëm një shkaktar të përçarjes dhe ai është Sali Berisha.
Pra Partia Demokratike është e ndarë në pro dhe kundër Sali Berishës. Natyrisht në këto dy kampe ka disa palë.
Njëra palë më të vendosurit janë deputetë dhe politikanët që nuk pranojnë Sali Berishën si person “a non grata” që turpëron historinë e PD dhe që identifikohen si grupi i Lulzim Bashës. Ka një grup tjetër që nuk pranon Sali
Berishën dhe ka rezerva për Lulzim Bashën. Ka një grup që mbështet Sali Berishën, se nuk pranon dot SHBA dhe BE. Ka një grup tjetër trushpëlarë që po ashtu mendon se jeta mbi tokë ka nisur me lindjen e Sali Berishës dhe mbaron me ikjen e tij. Por në gjithë këto fraksione dhe nëngrupe, boshti i përçarjes së PD mbetet Sali Berisha. Pra palët janë pro ose kundër tij.
Pas më shumë se një viti e gjysmë ky proces është normalizuar dhe secili kamp bën llogari si të mbijetojë si të përçarë. Akoma më shumë, tani secili po shikon mundësinë të riformatoj karrierën e tij jashtë Berishës ose duke llogaritur sikur bëjnë që janë me të, me shpresë se nuk e ka të gjatë. Pra në thelb të gjithë po mendojnë si të mbeten në politikë pa Berishën, disa duke ju kundërvënë e disa duke bërë sikur janë me të, për të vënë shishen në radhën e qumështit me shpresë se nuk e ka të gjatë.
Në këtë pikë, nuk ka më asnjë rëndësi formale beteja për vulën. Kujtdo që t’ia japi vulën Gjykata përçarja do të vazhdoj. Natyrisht një grup do bëhet më i madhe tjetri më i vogël, por kjo do të jetë thjesht statistikë numrash . Në bazën e Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi palët janë ndarë pro dhe kundër tij. Madje dhe partitë e tjera opozitare kanë marrë pozicione pro ose kundër tij. Ka disa parti të vogla kundër Berishës dhe të tjera pro tij.
Kështu që i vetmi gjyq që mund të sjell bashkimin e PD është gjyqi ndaj Berishës jo gjyqi ndaj vulës. Që opozita të bashkohet dhe ti jap mesazh shprese duhet ti bëj gjyqin shkaktarit të përçarjes dhe jo të bëj revolucione imagjinare për rrëmbimin e vulës. Vula aty nuk i bën punë më askujt, derisa thellon ndarjen. E vetmja gjë që bën punë është gjyqi ndaj përçarësit. Dhe atë duhet ta bëjnë vet, jo gjykatat.