Bashkimi Evropian ka vendosur të nisë heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, proces që do të përmbyllet gjatë muajit janar. Vendimi u bë publik nga presidentja Vjosa Osmani, pas pjesëmarrjes së saj në samitin BE–Ballkani Perëndimor të mbajtur në Bruksel.
“Kemi lajme të shkëlqyera për Kosovën. Në fund të samitit dhe pas diskutimeve u mor vendimi që të gjitha masat t’i hiqen Kosovës, ku një pjesë e madhe hiqen sot dhe një pjesë në fund të janarit”, deklaroi Osmani.
Në një video të publikuar nga presidentja në rrjetet sociale, shfaqet edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili thekson rolin e saj në këtë proces.
“Kjo grua ka qenë e jashtëzakonshme sot, i ka zhbllokuar të gjitha fondet. Dhe lërini ca thotë kemi lajme, ka kjo lajme dhe është merita e saj. Ti e di që unë nuk të dua, por të vërtetën duhet ta themi”, tha Rama.
Heqja e masave pritet të sjellë zhbllokimin e fondeve evropiane dhe rikthimin e projekteve të pezulluara, duke ndikuar drejtpërdrejt në sektorë kyç të zhvillimit ekonomik dhe institucional të vendit.
BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës në verën e vitit 2023, pas rritjes së tensioneve në veriun e vendit dhe veprimeve të autoriteteve të Kosovës ndaj institucioneve paralele serbe. Sipas Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, këto veprime “po minonin” përpjekjet për uljen e tensioneve dhe dialogun mes palëve.
Sipas një analize të Institutit për Studime të Avancuara – GAP, masat i kanë kushtuar Kosovës rreth 613.4 milionë euro në projekte të pezulluara ose të shtyra, ndërsa 7.1 milionë euro janë humbur përfundimisht për shkak të kalimit të afateve. Më të prekurit kanë qenë sektorët e mjedisit, energjisë, digjitalizimit dhe kulturës, kryesisht përmes fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe IPA III) dhe Kornizës së Investimeve të BE-së për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
