Operatori i Sistemit të Shpërndarjes njoftoi sot se ndodhet në gatishmëri te plotë për të përballuar situatën e vështirë te krijuar nga moti keq.
Probleme ka pasur me rrjetin energjetik në rajonet e Shkodrës dhe Burrelit, ku ka pasur reshje të dendura dëborë dhe erë te forte ne formë cikloni.
“Si pasojë e kësaj situate ka pasur probleme me furnizimin me energji në fiderat 10/6 kV që furnizojnë me energji kryesisht zona rurale të thella malore”, bën me dije OSSH.
Kurse në rajonin e Kukësit nuk ka pasur probleme të rënda me linjat dhe furnizimin me energji. Kurse në orët e drekës si pasoje e motit të keq ka pasur problematika në rajonet e Elbasanit dhe Beratit.
“Gjatë paradites Nënstacioni Radhimë është stakuar për arsye sigurie, pasi kishte nivel të lartë të ujit nga reshjet e shumta. Aktualisht ky nënstacion është rivënë në punë dhe situata është normalizuar. Në të gjithë vendin aktualisht kemi 43 fidera me probleme”, sqaron operatori.
OSSH bën me dije se ka të angazhuar në terren aktualisht 1500 punonjës me 196 mjete motorike lëvizëse, të cilët po i përgjigjen në kohë çdo avarie apo problem që konstatohet. Në vëmendje janë edhe hidrovoret në të gjithë vendin, për të shmangur problematikat me përmbytjet.