Kombet e Bashkuara kanë bërë të ditur se një e treta e spitaleve dhe gati dy të tretat e klinikave të kujdesit në Gaza tashmë janë mbyllur, për shkak të dëmeve nga lufta ose mungesës së karburanteve.
Pas sulmeve të militantëve të Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka mbyllur dy pikat e tij kufitare me Gazën dhe e ka vendosur atë nën rrethim të plotë, duke i bllokuar furnizimet me karburante, energji elektrike dhe ujë.
Kjo i ka detyruar spitalet në të gjithë Gazën të mbështeten në rezervat e tyre me karburante.
Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila, ka bërë thirrje për presion të shtuar mbi Izraelin për të lejuar hyrjen e karburanteve, barnave, ushqimit dhe ujit të pijshëm në Gazë. Në të kundërtën, ka thënë ajo, mijëra pacientë janë në rrezik të vdesin.
“Mjekët në shumë spitale në Rripin e Gazës duhet të kryejnë operacione urgjente në korridore, duke përdorur dritën e celularëve të tyre. Ky është skenari më i keq i mundshëm për punonjësit mjekësorë”, tha al-Kaila.
