Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka reaguar lidhur me debatin për sistemin e pagave të magjistratëve, duke kërkuar një tryezë të përbashkët mes institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë.
Ai shprehet se drejtuesit e dy këshillave të sistemit gjyqësor dhe drejtuesit e institucioneve të drejtësisë duhet t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për diskutime, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë për pagat e magjistratëve.
Sipas kryeministrit, në diskutime mund të përfshihen edhe ekspertë të Këshillit të Europës, si dhe të kontribuojë Komisioni Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Rama thekson se synimi duhet të jetë ruajtja e trajtimit financiar të magjistratëve, por njëkohësisht edhe garantimi i “ekuilibrit të përgjithshëm të piramidës shtetërore të pagave”. Në reagimin e tij, kryeministri vë në dukje gjithashtu rritjen e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe nivelin e pagave të magjistratëve. Ai argumenton se këto ndryshime kanë ardhur edhe si rezultat i vullnetit të shumicës qeverisëse.
Kryeministri e mbyll reagimin duke bërë thirrje për dialog institucional dhe duke theksuar se mosdakordësitë mes pushteteve duhet të trajtohen me “urtësi dhe durim”, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë.
