Me 82 vota pro, mazhoranca miratoi sot në Kuvend paketën Antishpifje të pjesës së ligjit të kompetencave që ka AMA . Ndaj ligjit të parë të kësaj pakete 13 deputetë votuan kundër, 5 abstenuan dhe 5 deputetë nuk morën pjesë në votim. Ndërsa paketë e dytë e ndryshimeve në ligjin Autoritetit të Komunikimeve Elektronike mori 87 vota pro, 10 kundër, 2 abstenim, ndërsa pesë nuk votuan. Deputetët kanë votuar edhe një propozim të kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, sipas të cilit vendimet e Bordit të AMA-s, ankimohen në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë.
Në këtë votim të pasdites së vonë të seancës të së mërkurës mungonte kryeministri Edi Rama, i cili kishte udhëtuar jashtë Shqipërisë. Nga radhët e mazhorancës ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati abstenoi të dyja paketat e ligjit “Antishpifje”, si dhe në të gjitha amendamentet e propozuara nga ana e kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla. Në sallë i vetmi që mungonte për arsye personale, ishte deputeti Bashkim Fino. Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati kërkoi paraditen e së mëkurës nëmbledhjen e grupi të PS-së tërheqjen e ligjit, sepse bie në kundërshtim me standardet dhe ka pasur debate të forta, e kundërshti edhe nga pala opozitare. Opozita parlamentare u shfaq e përçarë në këtë votim.
Rudina Hajdari, Ralf Gjoni, Myslim Murrizi, Halit Valteri, Adriatik Alimadhi, Fatjona Dhimitri bojkotuan seancën përpara nisjes së votimit. Pjesa tjetër e opozitës votuan pro, kundër apo asbtenim. Nimet Musai, Majlinda Halili, Zef Shjefni, Ligoraq Karamelo ishin nga deputetët që votuan pro. Në rendin e ditës së seancës së fundit parlamentare për këtë vit, ishin shkarkimi i Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, si dhe votimi i dekretit për emërimin e Arben Ahmetajt, në postin e ministrit të shtetit për Rindërtimin.
Arben Malaj u shkarkua si anëtar i Bordit Mbikëqyrës me 72 vota pro dhe 10 kundër. Parlamenti po ashtu ka miratuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës me 92 vota pro. Ndërkaq, Arben Ahmetaj u konfirmua si ministër i Rindërtimit, duke marrë 97 vota pro nga anëtarët e Parlamentit. Në bllok u kaluan edhe paketa fiskale, buxheti i shtetit dhe nisma për rivlerësimin e pasurive, si dhe u rrëzuan dy dekretet e presidentit Meta për rishikimin e dy ligjeve, “Për rininë”, dhe “Koorporatën e Investimeve”.
