”Paketa e Maleve” është ligji i ri i sapomiratuar për investime në zonat malore. Kjo e ofruar për të gjithë të interesuarit, qofshin emigrantë apo rezidentë, të cilët kanë dëshirën dhe vizionin për të ndërtuar në tokën e tyre. Nisma synon të ofrojë një qasje realiste për tërheqjen e investimeve në zonat malore të vendit, falë politikave të reja të mbështetjes kundrejt investitorëve.
Paketa e maleve u prezantua sot në një takim të zhvilluar në Kalanë e Rozafës, në Shkodër, ku mori pjesë Kryeministri Edi Rama së bashku me Ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci, Kryetarët e bashkive të zonave veriore të vendit, sipërmarrës të ndryshëm, etj.
Paketa synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qendrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e pejzazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.