Sektorë të ndryshëm presin që 2019 të mos jetë një vit pozitiv për sa i përket ecurisë së biznesit. Shkak kryesor janë ndryshimet që solli Paketa Fiskale 2019. Ndonëse në tërësi, paketa ishte lehtësuese, ka shumë ndryshime fiskale që, në fakt, rrisin barrën tatimore direkt ose indirekt. Aktorët kryesorë thonë se këto ndryshime janë bërë pa u konsultuar me grupet e interesit, duke vënë në vështirësi biznesin për të krijuar vende të reja pune dhe për të rritur investimet. Një pjesë e tyre rrezikon falimentimin
Neritan Malo operon prej 26 vitesh në biznesin e termo-izolimit në Shqipëri. Së fundmi, ai ka zgjeruar edhe eksportet në rajon. 2018-a ishte i mbarë për sektorin e termo-izolimit. Këto vitet e fundit, siç tregon edhe zoti Malo, është shtuar interesi për të pasur shtëpi me eficiencë energjie. Një tjetër faktor që nxiti sektorin ishte edhe ligji për eficiencën e energjisë së ndërtesave. Një shtëpi kursen deri në 60% të energjisë, nëse ndërtohet me materiale termo-izoluese. Në total, i gjithë tregu i termo-izolimit përllogarit një qarkullim prej 22 milionë eurosh dhe ka një peshë në punësim. Vetëm në kompaninë e Neritan Malos janë rreth 50 të punësuar.
Megjithatë, 2019-a nuk ka nisur ashtu siç duhet për këtë sektor. Që kur ka hyrë viti i ri 2019, ai shprehet se nuk ka shitur në aktivitetin e tij. Shkak është bërë një ndryshim në taksimin e lëndës së parë. Në paketën e re fiskale, qeveria vendosi që të vendoste një taksë për produktet e plastikës (për të gjitha lëndët që përmban kodi doganor 39).
“Ky ndryshim në taksë prej 25 lek/kg lëndë e parë ose 35 lek/kg për produkt të gatshëm që përfshin polisterolin është shkatërrues për biznesin e termo-izolimit. Janë miratuar ligje (i fundit në nëntor 2016) që detyrojnë ndërtuesit apo individët që të përdorin termo-izolimin në ndërtesa me qëllim eficencën e energjisë në ndërtesa dhe reduktimin e emetimit CO2 në ambient dhe tani vendosin ‘taksë luksi’ që do të variojë nga 4-12 euro/1m³ polisterol EPS ose XPS në varësi të tipit dhe cilësisë”, – tha Malo për “Monitor”.
Për shkak të kësaj takse, Malo shprehet se kostot vjetore të biznesit rriten me rreth 150 mijë euro në vit. Kjo do të prekë vendet e reja potenciale të punës, si dhe do të kufizojë investimet e mëtejshme në fabrikë. Deri më tani, Malo thotë se ka investuar rreth 1.5 milionë euro në makineri dhe pajisje. Por me këtë lloj regjimi tatimor, Malo shprehet se vendi është bërë aspak tërheqës për të bërë biznes. Përveç vështirësive brenda vendit, ai thotë se po hasin probleme edhe me eksportet. Izoterm është distributor kryesor në rajon, por për shkak të procedurës së vështirë të rimbursimit, e shikon tepër të vështirë vazhdimin normal të operimit.
Ndërsa Europa po shkon drejt subvencionimit të plotë për të bërë godinat eficiente në energji dhe kjo është një nga qëllimet kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm, Shqipëria po shkon në kahun e kundërt. “Është shteti i vetëm në Europë dhe më gjerë që vendos të tilla taksa katastrofike për produktet ekologjike dhe me ndikim të jashtëzakonshëm për reduktim deri në 60% të humbjeve të energjisë në ndërtesa. Europa i subvencionon deri në 60% të investimit të tyre individët, bizneset që aplikojnë termo-izolimin në ndërtesa.
Madje edhe këtu, Bashkia e Tiranës ka filluar një projekt të tillë. Ky veprim kaq i verbër ka pasoja shkatërruese për operatorët e këtij biznesi, duhet theksuar që deri para 3-4 vitesh ky treg ka qenë inekzistent për arsye se ndërtuesit nuk donin të harxhonin dhe individët nuk kishin informacion teknik për përfitimet nga ndërtesat ekologjike”, – shprehet Malo.
Megjithatë, biznesi i termo-izolimit nuk është i vetmi që po preket nga ndryshimet në taksa, të cilat sipas aktorëve të tregut janë ndërmarrë pa u konsultuar me operatorët kryesorë të tregut.
Si po preken agropërpunesit nga ulja e rimbursimit 6% të TVSH-së te fermerët
Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Agropërpunuesve, thotë për “Monitor” se nga paketa fiskale kanë marrë goditjen më të madhe për shkak të uljes së TVSH-së për fermerin në 6% nga 20% që u vendos në 2014. “Për sektorin tonë, kjo do të jetë goditja e dytë pas euros, -shprehet Zusi. Me këtë vendim rriten kostot për lëndët e para të produkteve vendase me 14%, duke i bërë ato jokonkurruese. \Ulja e rimbursimit të TVSH-së për fermerët ka prekur edhe sektorin e bimëve mjekësore.
Filim Gjoka, president i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, tha se me uljen e rimbursimit të TVSH-së për fermerin, ata kanë frikë se do të ketë një ulje të prodhimit të bimëve mjekësore dhe erëzave. “Për ne është shqetësuese mënyra e përshpejtuar që kaloi ky ligj dhe për më tepër, pa u konsultuar. Ligji ka ulur kompensimin për fermerët nga 20% në 6%, duke u justifikuar me faktin se kanë ulur TVSH-në për inputet bujqësore. Ky ligj nuk është konsultuar me shoqatat e biznesit në tërësi. Futja e kompensimit për fermerët rriti prodhimin dhe bëri që ne të kishim sasi të mjaftueshme për t’ju drejtuar tregjeve dhe kompanive gjigande”,- tha Gjoka.
Rreziku është humbja e tregjeve ndërkombëtare, duke qenë se interesi nga ana fermerëve për të kultivuar do të jetë më i vogël, sipas aktorëve të tregut. “Frika jonë më e madhe është rënia e prodhimit nga fermerët. Deri para 2014-s, një pjesë e fermerëve punonin të paregjistruar. Reduktimi në masën 14% i kompensimit të TVSH-së është i pastudiuar dhe unë mendoj se nuk është në momentin e duhur”, – tha Filip Gjoka.
Ai nënvizon se vendi ynë ka mbështetjen dhe subvencionimin më të vogël krahasuar edhe me vendet e rajonit si Maqedonia apo Kosova.
“Nëse do të ishte marrë mendimi ynë si organizatë, mbase do të ishte më mirë që nga 20% të ulej në 15%, por jo në mënyrë të menjëhershme. Fermerët dhe individët që kanë investuar në bujqësi përballen me një ndryshim të beftë të ligjit. Ndryshimi duhej të ishte gradual për fermerët. Ashtu siç dha ndryshimi i ligjit në 2014-n një rritje të madhe në prodhim, ulja e menjëhershme do t’i japë një goditje në kahun e kundërt. Ne si industri nuk përdorim inpute bujqësore, pasi industria jonë merret me bimë organike dhe konsumatorët këtë kërkojnë në mbarë botën” – përfundon Gjoka.
Efekti i pagës minimale, rriten kostot e biznesit fason
Vendimi për rritjen e pagës minimale duket se prek më së shumti kompanitë fasone. Ndërsa bizneset e tjera shprehen se prej kohësh e kanë kaluar pragun e nivelit minimal në listë – pagesat e tyre. Për kompanitë fason, të cilat aktualisht janë kryqëzuar nga nënçmimi i euros, rritja e pagës minimale rrit kostot e operimit të aktivitetit të tyre, duke i dhënë goditjen finale dhe duke i çuar drejt falimentit.
Florian Zekja, përfaqësues i kompanive fason, tha se ky vendim do të ndikojë në kostot e ndërmarrjeve. “Ne do të duhet të rrisim pagat për të gjithë të punësuarit në ndërmarrjet fason dhe në të njëjtën kohë, do të rriten edhe pagesat për kontributet. Është një efekt domino që na vështirëson përllogaritjen e kostove në kontrata tona”, – tha Zekja për “Monitor”. Sipas Florian Zekja, kjo gangrenë do të vazhdojë derisa të rregullohet me ligj kategorizimi i punëtorëve dhe të ketë një strukturë të mirëpacaktuar të pagave sipas kategorive.
Gjergji Liqezja, administrator i kompanisë fason Shqipëria-Trikot, tha se rritja e pakonsultuar dhe në mënyrë të menjëhershme e pagës minimale nga 24 mijë në 26 mijë lekë është skandaloze. “Nuk bëhet fjalë për vlerën 2 mijë lekë, me të cilën është bërë rritja, por mua më intereson mënyra e të menduarit. Në të vërtetë rritja është më e lartë, sepse kur ti rrit pagën, rrit edhe pjesën e kontributeve që do të derdhen në arkën e shtetit si sigurime shoqërore dhe punëdhënësi duhet të paguajë edhe më shumë kontribute.
Rritja është pak a shumë 2300 lekë nga lëvizja e pagës minimale, çka përkthehet në rritje me 9% të kostos së punës. Kjo logjikë e të menduarit nuk është jashtë normales. Unë jam dakord që punonjësit duhet të paguhen më mirë, por këtë vendim nuk mund ta marrë shteti pa u konsultuar. Pagën e vendos tregu dhe në këtë rast janë dy rritje të njëpasnjëshme që janë bërë së fundmi dhe rritja duhet të ecë edhe me logjikën e rentabilitetit të biznesit, pra nëse e pranon situata e tregut një lëvizje të tillë apo jo,”- u shpreh Gjergj Liqezja.
Për Alban Zusin, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, ky vendim do të ulë konkurrueshmërinë e bizneseve dhe do të ulë investimet. I kontaktuar nga “Monitor”, Zusi tha se qeveria nuk është konsultuar, dhe se ky vendim godet biznesin prodhues dhe eksportuesit. “Bizneset po detyrohen që të rrisin pagën artificialisht. Automatikisht po krijohet një kosto ekstra për kompanitë. Kompanitë i rrisin pagat për të qenë konkurrues, me qëllim që të marrin punëtorët më të mirë, por rritja duhet të vijë duke i krijuar mjedis të përshtatshëm për të bërë biznes kompanitë”, – tha Zusi.
Zusi përllogarit se 10-15% e punëtorëve në sektor janë në pagë minimale dhe vendosja e pagës minimale iu rrit kostot artificialisht.
Rritja e tavanit të pagës minimale thellon paaftësinë e biznesit për të qenë konkurrues dhe gjithashtu minimizon aftësitë për të riinvestuar dhe për të hapur vende të reja pune, shtoi Zusi.
“Paga minimale nuk rritet me urdhra administrativë, por duke krijuar mjedisin e përshtatshëm për bizneset për t’u rritur. Tregu i punës është jashtëzakonisht konkurrues, pasi ne luftojmë për të mbajtur punonjësit. Ky vendim prek më së shumti bizneset eksportuese”, – thotë në fund ai.
Paga maksimale “zhvlerëson” rritjen e kufirit të taksimit për pagat e larta
Rritja e pagës minimale, e cila pas një vendimi të Këshillit të Ministria u bë 26 mijë lekë nga 24 mijë lekë që ishte më parë, shoqërohet dhe me rritje të pagës maksimale, për efekt të pagimit të sigurimeve shoqërore. Kjo do të thotë që do të rriten kostot edhe për bizneset që kanë të punësuar me paga të larta.
Tatimet kanë sqaruar se paga maksimale për efekt të kontributeve shoqërore indeksohet në të njëjtën kohë dhe në atë masë që indeksohet edhe paga minimale në shkallë vendi. Paga minimale është rritur me rreth 8.3% (nga 24,000 në 26,000 lekë), kjo nënkupton që edhe paga maksimale do të rritet me rreth 8.3%, duke shkuar në 114,670 lekë, nga 105,850 lekë që ishte më parë, me një rritje prej 8,820 lekë.
Korrupsioni, tarifat e fshehura dhe burokracia na kushtojnë më shumë se taksat
Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë: Nëse bëjmë një llogaritje të shumave që industritë prodhuese paguajnë në një vit si tarifa për procedurat ligjore, shpenzime të ndryshme për të kryer procese burokratike me entet publike apo edhe pagesa informale ndaj zyrtareve të shtetit, do të shohim se pagesa e tatimit mbi fitimin dhe mbi dividentin nuk është për t’u marrë fare në konsideratë
Në ditët e sotme, flitet shpesh se si fiskaliteti ndikon në aftësitë konkurruese të vendeve. Në fakt, fiskaliteti është një ndër elementet që ndikon pozitivisht apo negativisht në konkurrueshmërinë e tregjeve. Sipas një studimi paraprak të Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, një ndër elementet kryesore, por që deri më tani nuk është marrë shpesh në konsideratë, në lidhje më konkurrueshmërinë është çështja e kostove të fshehura. Këto nuk janë kostot e prodhimit, por janë kostot e procedurave dhe të burokracisë dhe korrupsionit. Industritë prodhuese ndeshen çdo ditë me tarifa të cilat janë pjesë e një procedure ligjore dhe shpesh të pakuptimta. Këto procedura burojnë kryesisht nga ligjet në fuqi, por marrin trajtën teknike nga aktet nënligjore në zbatim të ligjeve. Shumica e këtyre procedurave dhe tarifave përkatëse nuk janë aspak të konsultuara me sipërmarrjen, madje ekzistojnë procedura dhe tarifa tashmë shumë të vjetruara, të cilat përdoren nga zyrtarë të korruptuar për të vështirësuar aktivitetin e përditshëm të sipërmarrjes.
Nëse bëjmë një llogaritje të shumave që industritë prodhuese paguajnë në një vit si tarifa për procedurat ligjore, shpenzime të ndryshme për të kryer procese burokratike me entet publike apo edhe pagesa informale ndaj zyrtarëve të shtetit, do të shohim se pagesa e tatimit mbi fitimin dhe mbi dividentit nuk është për t’u marrë fare ne konsiderate.
Natyrisht që sipërmarrja është gjithmonë e interesuar të ketë një ngarkesë fiskale të ulet, me qëllim që të ketë më shumë mundësi për të krijuar vende pune dhe të riinvestojë, por sëmundja e heshtur që po e shkatërron entuziazmin dhe optimizmin e sipërmarrjes prodhuese burokracia, korrupsioni dhe procedurat e tepruara.
Diskutojmë shpesh për procesin e inspektimit ndaj sipërmarrjes por vijojmë të vonojmë reformën në inspektim. Kjo duhet të shërbejë si një këmbane alarmi për qeverisjen pasi sfidat e integrimit rajonal dhe atij europian janë të shumta dhe kërkojnë bashkëveprim të të gjithë aktorëve për të pasur sukses/Monitor