Autoritetet pakistaneze kanë vendosur kufizime të reja për raportimin e mediave ndërkombëtare në vend, një masë që ka shkaktuar reagime të forta nga organizatat e gazetarëve dhe mbrojtësit e lirisë së shtypit.
Sipas rregullave të reja, çdo gazetar që punon për media të huaja, përfshirë edhe shtetasit pakistanezë, duhet të marrë leje paraprake për të raportuar nga çdo zonë e vendit, me përjashtim të tre qyteteve kryesore: Islamabadit, Karaçit dhe Lahores.
Kritikët thonë se këto kufizime e lënë raportimin në terren të mediave të huaja në varësi të plotë të autoriteteve, në një kohë kur Pakistani renditet i 153-ti nga 180 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit.
Komentatori politik Mustafa Nawaz Khokhar i cilësoi udhëzimet e reja si një përpjekje për të “mbytur mediat ndërkombëtare në një hapësirë gjithnjë e më të kufizuar”. Sipas tij, publiku mbështetet te mediat e huaja për raportim të pavarur dhe vendosja e pengesave të tilla vetëm sa krijon më shumë hapësirë për dezinformim dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
Nga ana tjetër, qeveria pakistaneze deklaron se udhëzimet, të publikuara të dielën me emrin “Foreign Media Facilitation Guidelines 2026”, nuk synojnë kufizimin e mediave, por krijimin e një mekanizmi administrativ për verifikimin e gazetarëve, lehtësimin e aksesit dhe koordinimin e raportimeve.
Megjithatë, rregullat nuk përcaktojnë se sa kohë mund të zgjasë marrja e lejes, e njohur si No Objection Certificate (NOC). Edhe më parë gazetarët e huaj kishin nevojë për këtë autorizim, por shpesh prisnin me muaj ose nuk merrnin kurrë përgjigje, duke e bërë pothuajse të pamundur mbulimin e ngjarjeve urgjente në vendin me rreth 240 milionë banorë.
Për këtë arsye, mediat ndërkombëtare janë mbështetur shpesh te gazetarët pakistanezë ose bashkëpunëtorët lokalë për të verifikuar informacionet nga qytete si Peshawari apo Quetta. Me rregullat e reja, edhe këta kontribues, përfshirë freelancerët që jetojnë jashtë tre qyteteve të përjashtuara, do të duhet të pajisen me leje për të raportuar.
Kryeredaktori i gazetës Dawn, Zaffar Abbas, i quajti kufizimet “absurde dhe krejtësisht të papranueshme”. Ai tha se gjatë më shumë se 40 viteve si gazetar, përfshirë periudhat e sundimit ushtarak dhe qeverive autoritare civile, nuk kishte parë kurrë masa kaq kufizuese ndaj lirisë së shtypit.
“Detyrimi që gazetarët të marrin leje për të udhëtuar jashtë tre qyteteve kryesore cenon jo vetëm lirinë e lëvizjes, por edhe lirinë e medias”, u shpreh Abbas.
Qeveria këmbëngul se nuk bëhet fjalë për një ndalim të përgjithshëm të lëvizjes së gazetarëve, por për një procedurë administrative.
Udhëzimet parashikojnë gjithashtu se gazetarëve mund t’u hiqet akreditimi nëse kryejnë “veprime kundër ideologjisë, sovranitetit, sigurisë ose rendit publik të Pakistanit”. Khokhar e konsideroi këtë formulim të paqartë dhe paralajmëroi se ai mund të interpretohet në mënyrë arbitrare.
Edhe avokati i Gjykatës së Lartë, Salhuddin Ahmed, kritikoi masën, duke deklaruar se udhëzimet nuk mbështeten në asnjë bazë ligjore, por janë thjesht një urdhër ekzekutiv pa fuqi statutore.
Sipas tij, ato përbëjnë një përpjekje të nxituar dhe të pamenduar mirë për të kufizuar edhe më tej raportimin e pavarur në Pakistan.
Ndërkohë, një grup gazetarësh ndërkombëtarë dhe presidenti i Federatës së Gazetarëve të Pakistanit po përpiqen të organizojnë një takim me ministrin e Informacionit për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me rregullat e reja.
