Shtatë deputetë të Partisë Demokratike kanë kërkuar marrjen e një mase disiplinore ndaj kryeministrit Edi Rama, pas debatit të ashpër që kreu i qeverisë pati me Gazment Bardhin në seancën e sotme parlamentare.
Enkelejd Alibeaj, Saimir Korreshi, Orjola Pampuri, Eralda Bano, Kreshnik Çollaku, Xhelal Mziu dhe Bledjon Nallbati kanë firmosur shkresën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla.
Rama dhe Bardhi u përplasën ashpër pasi deputeti demokrat akuzoi kryeministrin se ka angazhuar biznesmenë që të intimidojnë deputetët për të votuar kandidaturën e Ardian Dvoranit për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri i cilësoi akuzat shpifje të ulëta dhe i kërkoi Bardhit të fliste me emra.
