Një i plagosur me armë zjarri dhe tjetri me thikë, është bilanci i sherrit banal që ndodhi të enjten e 23 nëntorit në Vorë. Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e cila mund të kishte një fund tragjik, ku oficeri i Forcave të Armatosura, Ermal Muzhaqi përdori armën e shërbimit për të neutralizuar 34-vjeçarin Erges Hoxhës, i cili tentoi të vrasë me thikë vëllanë e tij.
Policia e Tiranës thotë se Hoxha iu afrua te makina dhe tentoi të vriste Kidi Muzhaqin. Në atë moment ka ndërhyrë i vëllai i tij, Ermal Muzhaqi, punonjës i Forcave të Armatosura dhe ka plagosur 34-vjeçarin.
Po ashtu Policia sqaron se dy të plagosurit mbeten nën kujdesin e mjekëve në spital, ndërsa Prokuroria po heton për të zbuluar arsyet që shtyn 34-vjeçarin që të tentonte t’i merrte jetën vëllait të ushtarakut.
”Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme, në Vorë, informojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës ndaluan shtetasit: E. M., 27 vjeç dhe E. H., 34 vjeç, të dy banues në Vorë.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë ngjarje dyshohet se ditën e djeshme, rreth orës 12:20, në Vorë, shtetasi E. H. i është afruar automjetit me drejtues shtetasin E. M. dhe pasagjerë shtetasit K. M. dhe B. A., dhe për motive ende të paqarta, ka tentuar që të vrasë me thikë shtetasin K. M. Në këtë moment ka ndërhyrë drejtuesi i automjetit, shtetasi E. M. (oficer ushtrie), i cili ka plagosur me armën e shërbimit, shtetasin E. H. Shtetasit K. M. dhe E. H. ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë dhe mjetin prerës thikë, të përdorura në këtë ngjarje, si dhe aparatet celulare të shtetasve të përfshirë. Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për përcaktimin e shkakut të rastit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”,– njofton policia.
